Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka nisur punimet konservuese në një nga kryeveprat e artit bizantin shqiptar.
Sektori i Veprave të Artit, në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, po kryejnë ndërhyrje konservuese në pikturën murale të trapezërisë së Manastirit të Shën Mërisë në Apoloni. Kjo murale është një vepër unike e realizuar në gjysmën e dytë të shekullit XIII dhe një ndër më të rëndësishmet e artit bizantin në Shqipëri.
IKTK bëri të ditur se, aktualisht po kryhet konsolidimi i shtresave përgatitore të pikturës me suportin në murin jugor dhe verior të objektit.
Mozaikët pranë trapezerisë (mencës së murgjëve), portiku i Kishës me kolonadën e bukur prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale, krijojnë një kompleks mjaft sugjestiv. Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëravjeçare të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik, Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë përbëjnë një nga komplekset fetare më mbresëlënëse që mund të vizitoni në të gjithë vendin.
Ky takim mes Antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik të pozicionuar brenda Manastirit, e bëjnë këtë kompleks tejet të rrallë për nga vlerat historike, arkitekturore, kulturore e fetare.