Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu ka deklaruar sot se po i marrin shumë seriozisht ngjarjet në veri të Kosovës. Ajo ka theksuar se po NATO po i merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mjedis të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. “Angazhimi i Misionit të NATOS-s për zbatimin e mandatit të tij është i palëkundur, siç tregohet nga dislokimi shtesë i 500 trupave. I rikujtojmë edhe një herë të gjitha palëve obligimet e tyre ndaj KFOR-it sipas Marrëveshjes Teknike Ushtarake, duke përfshirë respektimin e vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Këto detyrime janë krijuar për të siguruar veprim të koordinuar, për të shmangur përshkallëzimin dhe për të ruajtur mjedisi të sigurt.”, ka shkruar ajo në Twitter. Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe të premten (16 qershor) u është shqiptuar masa e paraburgimit. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe. Ndërkohë, të premten (16 qershor) në Leposaviq janë sulmuar ekipet e mediave. Policia ka informuar se në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individë dhe grupe kriminale janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale 9 gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës dhe është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë. “Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar trajtim mjekësor”, është bërë e ditur nga PK. atsh
NATO:Po u rikujtojmë palëve obligimet ndaj KFOR-it
RELATED ARTICLES