“Sulmi në kanalin ujor në veri të Kosovës, më 29 nëntor, nënvizon se sa i brishtë është stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, tha Rutte gjatë një konference shtypi me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiç, në Bruksel, shkruan REL, transmeton KosovaPress.
Shpërthimi i 29 nëntorit në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut – prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas autoriteteve kosovare, të cilat e cilësuan atë si më të rëndin në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
Autoritetet kosovare janë duke e hetuar shpërthimin, për të cilin e akuzojnë Serbinë.Serbia i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se edhe vetë ajo po e heton këtë sulm. Rutte e tha se “tani është thelbësore që të nxirren faktet” rreth sulmit dhe përgjegjësve të mundshëm.
Ai theksoi se dëshiron ta falënderojë komandantin e KFOR-it për “dislokim të shpejtë” të trupave për të mbrojtur infrastrukturën kyçe të Kosovës.
“Mbetemi të përkushtuar që të sigurojmë që KFOR-i të përmbush mandatin e tij të OKB-së”, theksoi Rutte. KFOR – i cili ka rreth 4.700 ushtarë – është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.Ndryshe, një shpërthim ka ndodhur më 29 nëntor në veri të vendit dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se sulmi është terrorist e kriminal dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia. SHBA dhe QUINT e kanë dënuar sulmin.