Sunday, September 29, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARENATO: Anëtarët duhet të lejojnë Ukrainën të përdorë armë perëndimore në Rusi

NATO: Anëtarët duhet të lejojnë Ukrainën të përdorë armë perëndimore në Rusi

NATO u ka bërë thirrje sot vendeve anëtare të autorizojnë Ukrainën të përdorë armët perëndimore kundër objektivave ushtarake në Rusi gjatë një takimi në kryeqytetin bullgar, Sofje. Asambleja Parlamentare e NATO-s (PA) miratoi një deklaratë përkatëse duke premtuar mbështetjen e Ukrainës deri në arritjen e fitores. “Ka ardhur koha për të hequr disa kufizime në përdorimin e armëve të ofruara”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Stoltenberg përmendi rajonin ukrainas, Kharkivin, ku vija e parë dhe kufiri me Rusinë pak a shumë përkonin, si një shembull të një përdorimi të mundshëm të armëve perëndimore. “Ukraina do të ishte më e dobët nëse anëtarët e NATO-s do të vazhdonin ta mbështesnin atë vetëm deri në gjysmë të rrugës”, paralajmëroi presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michał Szczerba nga Polonia. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov u bëri thirrje aleatëve përmes një video-mesazhi që të mbyllin hapësirën ajrore mbi Ukrainën perëndimore me sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore. Umerov tha se vendi i tij po përpiqej për anëtarësimin e plotë në NATO. Në takimin pranveror të PA-së morën pjesë deputetë nga vendet anëtare të NATO-s dhe shtetet partnere. Në Sofje ka udhëtuar edhe një delegacion nga Bundestagu gjerman. Stoltenberg përmendi tre tema të cilat do të diskutohen në samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington në korrik; përmirësimi i pajisjeve mbrojtëse të vendeve anëtare, mbështetja për Ukrainën dhe partneriteti global me fokus në rajonin Azi-Paqësor. Asambleja Parlamentare bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një qendre në selinë e NATO-s në Bruksel për të luftuar dezinformimin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments