Sipas studimit, nëse të gjitha projektet e lëshimit të satelitëve realizohen me sukses, do të ketë 560 000 satelitë që do te lëvizin rreth Tokës deri në vitin 2040.
“Ky përbën një kërcënim shumë serioz për teleskopët hapësinorë”, tha Alejandro Borlaff, autori kryesor i studimit dhe anëtar i Qendrës Kërkimore Ames të NASA-s në Kaliforni.
Për qëllimet e studimit të tyre, astronomët simuluan ndikimin e mundshëm të këtyre 560 000 satelitëve në katër teleskopë hapësinorë.
Reflektimet e dritës së emetuar nga këta satelitë do të ndikonin në 96% të imazheve të prodhuara nga SPHEREx i NASA-s, teleskopi i ardhshëm ARRAKIHS i Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA) dhe teleskopi i ardhshëm ”Xuntian” i Kinës.
Teleskopi hapësinor “Hubble”, i cili ofron një pamje më të kufizuar të universit dhe është më pak i prirur të fotografojë një satelit, do të shihte një të tretën e imazheve të tij të ndryshuara.
Kjo do të kishte pasoja për të gjitha llojet e kërkimeve shkencore.
“Imagjinoni sikur po përpiqeni të gjeni asteroide që mund të jenë potencialisht të rrezikshme për Tokën”, shpjegon Borlaff.
“Një asteroid që kalon në qiell duket tamam si një satelit, është me të vërtetë e vështirë të gjesh se cili është ai i gabuari”, theksoi ai.
Një zgjidhje do të ishte vendosja e satelitëve në lartësi më të ulëta se teleskopët hapësinorë, por kjo mund të dëmtojë potencialisht shtresën e ozonit, sipas studimit.
Zgjidhja më logjike do të ishte reduktimi i numrit të satelitëve që do të lëshohen





