Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë kërkoi sot përshpejtimin e miratimit të propozimit për uljen e tatimit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Përmes një deklarate për mediet Shoqata tha se mungesa e konkretizimit të këtij propozimi ka sjellë efekte tepër negative, duke bllokuar tregun.
“Gjatë 5 viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka operuar në tregun e shitësit. Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij. Tatimi i të ardhurave nga shitja e pasurive të paluajtshme, tatimi mbi fitimin kapital të realizuar, në masën 15% është provuar tashmë se ka disa efekte negative të drejtpërdrejta, në sektorin e veprimtarive me pasuritë e paluajtshme, i cili sot kontribuon 8-10% të GDP-së”, thuhet në deklaratë.
Shoqata më tej nënvizon se nëse miratohet tatimi në nivelin 3%, të ardhurat nga ky sektor do të rriteshin me rreth 60%.
“Mbështetur në të dhënat kombëtare të këtij sektori, vëmë re se në krahasim me vitet kur ky tatim mbahet në nivelin 15%, gjatë periudhave të lehtësirave fiskale ku norma e tatimit aplikohet jo më shumë se 3%, sektori jo vetëm që njeh rritje dhe zgjerim, shqiptarët jo vetëm që fitojnë më tepër, por dhe buxheti arkëton të ardhura më tepër, në nivelet 35-40 milionë euro. Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, tregon se në vitet 2020-2021-2022 ku tatimi ka qenë në nivelet 3%, për buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura për çdo vit nëpërmjet këtij tatimi, pra rreth 60% me tepër në krahasim me vitin 2019 ku tatimi ka qenë 15%.”
Në maj të këtij viti, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti dorëzoi në Kuvend nismën ligjore që parashikon rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me 3% me vlerën e tregut, por deri më tani nuk ka asnjë reagim për këtë propozim.
Ky është rivlerësimi i pestë që propozohet të kryhet. I pari rivlerësim pasurisë është kryer në vitin 2012. Më pas është në vitet 2013, në vitet 2016-2017 dhe i fundit ishte në vitet 2020-2022.
Në vitet 2012-2013 ishin rreth 95 mijë shërbime për rivlerësim me 4 miliardë lekë në buxhet, në 2016 dhe 2017-ën ishin 60.264 shërbime dhe 5.41 miliardë lekë. Ndërsa në dy vitet e fundit 2020-2022 ishin 113.800 shërbime për rivlerësim me 12.68 miliardë lekë në buxhetin e shtetit.
Në rivlerësimin e fundit, rekordin e ka Tirana me 47 293 rivlerësime të kryera dhe në vend të fundit Hasi me 35 rivlerësime.