Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan nisi sot viti i ri akademik 2023-2024. Zëvendësrektori i këtij universiteti, Peci Naqellari tha sot për ATSH-në se “regjistrimi i studentëve u krye në dy raunde, ku kemi realizuar mbi 50% të kuotave. Janë 1100 studentë që do të ndjekin për herë të parë këtë universitet për 46 programe studimi, ku 38 janë në bachelor dhe 8 janë për diplomë profesionale dy vjeçare”. “Fakulteti i Shkencave Mjekësore teknike është në vend të parë sa i takon aplikimeve dhe regjistrimeve me 65%, pastaj vjen Fakulteti i Shkencave të Hulumtimit dhe Shkencave të Natyrës dhe Fakulteti i Shkencave të Edukimit”, tha Naqellari. Rektori Naqellari bëri të ditur se “degët më të kërkuara janë për Fakultetin e Shkencave Mjekësore –Teknike (Infermieritë), ndërsa kemi një rrudhje të aplikimeve në degët që janë me drejtim mësuesi. Pavarësisht se qeveria mori masa lidhur me shpalljen e disa programeve prioritare si ato të mësuesisë, që do të kenë mbështetje me bursa aty ka ende kufizime sa i takon aplikimeve e regjistrimeve. Megjithatë këto programe studimi do të hapen edhe për këtë vit akademik, shumica prej tyre”. “Janë rreth 15 programe studimi që janë në diskutim e sipër, për sa i takon propozimit për mos t’i hapur këtë vit akademik.Por jo se janë të mbyllura. Në bazë të ligjit për “arsimin e Lartë” dhe VKM, këto programe quhen të mbyllura kur nuk kanë në asnjë vit të tyre studentë. Ne nuk kemi programe të tilla, pra sot për sot këto programe studimi nuk konsiderohen të mbyllura”, nënvizoi Naqellari. Ai shtoi se “në lidhje me plotësimin e kuotave, duke filluar që sot deri në 7 tetor do të rishikohen edhe njëherë plotësimet e kuotave që janë regjistruar në QSHA, për t’u spostuar në disa programe studimi ku nuk janë plotësuar kuotat”. Sa i përket stafit akademik, Naqellari tha se “kemi rreth 256 staf akademik me kohë të plotë, mbi 70% janë me tituj dhe grada, nga Doktor Shkencash deri në Profesor Doktor. Ndërsa kemi rreth 550 personel akademik me kohë të pjesshme”. Ai tha se “Universiteti i Elbasanit ka mjedise me infrastrukturë shumë të mirë që nga sallat e leksioneve deri tek laboratorët”.
Naqellari: 1100 studentë të rinj në Universitetin e Elbasanit
RELATED ARTICLES