Myslimanët në mbarë botën kremtojnë nesër Kurban Bajramin. Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu i është drejtuar me një mesazh besimtarëve myslimanë. “Të dashur besimtarë myslimanë, shqiptarë kudo që ndodheni. Nesër në Shqipëri dhe mbarë botën, myslimanët kremtojnë festën e Kurban Bajramit. Kurban Bajrami është një festë që materializon bindjen e lartë, dorëzimin, durimin dhe sakrificën e njeriut ndaj Zotit të gjithësisë”, tha ai. Ai shtoi se Kurban Bajrami është festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër. “Është pjesë e gjithë shoqërisë. Ata që kanë mundësi presin kurban dhe shpërndajnë për çdo njeri e familje në nevojë. E kjo e bën këtë festë që të futet në çdo shtëpi. Të gjithë e ndjejnë atmosferën dhe solidaritetin e kësaj feste. I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe secilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë”, shprehet Spahiu. atsh