Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se aeroporti i Mynihut, në Gjermani do të jetë operatori i aeroportit të Vlorës, duke garantuar kështu edhe suksesin e tij. Gjatë një takimi të mbajtur në Durrës për bilancin e sezonit turistik, Rama tha se marrëveshja me aeroportin e Mynihut është arritur. “Puna për ndërtimin e aeroportit të Vlorës po ecën me ritme të mira dhe është i garantuar nga marrëveshja me aeroportin e Mynihut, që do të jetë operatori i aeroportit. Dhe ai nuk hyn në një marrëveshje për pak gjë, por për shumë çka”, deklaroi Rama. Sa i përket aeroportit të Sarandës, Rama tha se ai do të jetë në kantier gjatë këtij mandati. Aeroporti i Kukësit, i cili nisi fluturimet në maj të këtij viti, sipas kryeministrit Rama ka hapur një perspektivë të re. “Ne po shtyjmë për investime të rëndësishme në zonën e Kukësit sa i përket turizmit”, tha ai. Ndërtimi i aeroportit të Vlorës po kryhet nga bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction, i përbërë nga Mabetex Group, i cili mban 50 % të aksioneve, YDA Group me 48 % dhe A Group sh.p.k me 2 %. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në strategjinë tonë të aviacionit civil një nga veprat më të mëdha që është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike, që deri më sot nuk janë ofruar nga vendi ynë për shkak të pistës jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit. Me një vlerë investimi prej 104 milionë euro, në periudhën 2-vjeçare të fazës së parë do të ndërtohet godina e aeroportit dhe pista, që kapin vlerën mbi 103.5 milionë dollarë. Ndërsa në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit, që arrijnë vlerën e investimeve me qindra-miliona euro. Aeroporti i Vlorës do të presë udhëtime të drejt për drejta edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky investim pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave për shqiptarët dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.https://ata.gov.al/2022/09/27/rama-mynihu-do-te-jete-operatori-i-aeroportit-te-vlores/