Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, prezantoi sot, në rrjetet sociale, një nga objektet që disponon në fondin e tij. Bëhet fjalë për mitrën, pjesë e veshjes ceremoniale të ritit Ortodoks Lindor. Origjina e saj shkon larg në histori, tek tradita hebraike. Në formën që na paraqitet sot, ajo është përdorur pas rënies së Kostandinopojës dhe është bazuar në kurorën e perandorëve të lindjes. Mitra, e ekspozuar në MKAM është prodhuar prej materialesh të ndryshme si, mëndafsh, metal, gurë dhe porcelane të ngjyruar. Copa e gjelbër rrethohet nga dekoracione argjendi të lara në ar, me motive floreale, të zbukuruara me gurë artificialë shumëngjyrësh. Në pjesën e sipërme ajo mbyllet me një kryq. Midis dekoreve prej argjendi janë montuar disa pjesë porcelani në formë ovale ku paraqiten katër Ungjillorët. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj. ATSH