Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë vijon të tërheqë edhe gjatë këtij fillim viti një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj. Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “3324 vizitorë kanë vizituar në janar-shkurt muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ku u njohën me historinë dhe traditat shqiptare”. Sipas tij, vizitorët janë kryesisht italianë, spanjollë, shqiptarë nga të gjitha trevat, si dhe nxënës nga shkolla të ndryshme të vendit. Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe pritet të jetë gati sa më shpejt për të pritur vizitorët”. Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, Principatat Shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim. atsh