Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit ka nisur prezantimi i projekteve të 5 studiove finaliste të cilat garojnë në konkursin ndërkombëtar për Muzeun “Besa”. Studiot prestigjioze prej të cilave do të përzgjidhet fituesi janë: MVRDV nga Holanda, EAA Emre Arolat Architecture nga Turqia, Schneider & Schumacher nga Gjermania, Cook Haffner Architecture Platform nga Anglia dhe Oppenheim Architecture nga Zvicra.
“Përtej çdo qasje klasike, si arkeologjia e të tjera, koncepti i besës është një koncept shpirtëror e si i tillë patjetër që gjen nevojën, për t’u treguar jo vetëm përmes librave të historisë por me një hapësirë që flet shqip e mbi të gjitha flet edhe me gjuhën e vitit 2023. Shkurt dhe shqip, ky koncept quhet besa. Një dimension shpirtëror i shqiptarëve dhe me këtë plotëri që ekziston në Shqipëri, e themi me bindje se nuk ekziston në asnjë vend tjetër”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë prezantimit në TKOB. Muzeu i “Besës” është i lidhur shpirtërisht me Muzeun Hebraik në Vlorë. Ndërtimi i tij përbën një sfidë pasi nga njëra anë bëhet fjalë për restaurimin e muzealizimin e një godine historike në zemër të Tiranës, por njëkohësisht duhet të flasë me zërin e kohës. Rrugëtimi për realizimin e tij, nisi me 17 projektues që ju përgjigjën fillimisht thirrjes së Ministrisë së Kulturës, duke kaluar më pas në faza të tjera të konkursit, për të arritur tek 5 finalistët. atsh