Miliarderi amerikan Elon Musk njoftoi të shtunën se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, është funksional tani edhe në territorin e Kosovës.
Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, shkroi në X: “Starlink tani edhe në Kosovë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se ardhja e Starlink-ut është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend.
“Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare”, tha ai në Facebook.
Në tetor, Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se e kishte autorizuar kompaninë amerikane Starlink për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.