Grupi britanik i rock-ut, “Muse”, ka anuluar koncertin në Stamboll pasi protestuesit bënë thirrje për bojkot ndaj promovuesit të koncertit.
Protestat në shkallë të gjerë antiqeveritare filluan muajin e kaluar – pas burgosjes së kryetarit të bashkisë së qytetit turk, Ekrem İmamoğlu – rivalit kryesor të presidentit Recep Tayyip Erdogan, më 19 mars pas akuzave për korrupsion, të cilat ai i ka mohuar.
Mbështetësit e İmamoğlu dhe Partia Popullore Republikane (CHP) e opozitës së tij bënë thirrje për bojkotimin e kompanive që mbështesin qeverinë, duke përfshirë “DBL Entertainment” që do të organizonte koncertin e “Muse”.
Kjo vjen pasi promovuesi i “DBL Entertainment”, Abdulkadir Özkan, i quajti aktet e protestuesve “tradhti”.
Özkan më vonë ndau një postim në X duke pretenduar se mesazhi i tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se i vinte keq për çdo keqkuptim.
“Muse” njoftoi se do ta shtynin koncertin përmes një postimi në Instagram, duke thënë: “Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe reagimeve nga fansat tanë, ndërkohë që respektojmë plotësisht shqetësimet e tyre, koncerti ynë në Stamboll do të shtyhet deri në vitin 2026, në mënyrë që të sigurohemi që “DBL Entertainment” nuk do të përfshihet”.
“Faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme, e cila është shumë e rëndësishme për ne. Shihemi në vitin 2026”, tha “Muse”.
Njoftimi vjen vetëm disa ditë pasi grupi britanik njoftoi se do të performonte në Festivalin Park Yenikapı, në Stamboll më 11 qershor.