Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me institucionet e varësisë po zbaton masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në të gjithë vendin.

MBZHR bën të ditur se, që prej datës 4 qershor 2025, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë (AKVMB), ka monitoruar gjithsej 1673 ferma, me 270 925 krerë të imta (dele dhe dhi).

Sipas MBZHR-së, deri më tani, kanë rezultuar 8 ferma pozitive, në 6 vatra të ndryshme.

“Veterinerët zyrtarë janë në terren, duke kontrolluar fermat, tregjet dhe rrugët për të parandaluar lëvizjen e pakontrolluar të kafshëve, ndërsa janë marrë masat përkatëse për eleminimin e kafshëve të prekura dhe për karantinimin e fermave”, thekson MBZHR, në një njoftim për shtyp.

MBZHR u bën apel fermerëve që nëse vërejnë shenja të dyshimta te kafshët, të njoftojnë  menjëherë veterinerin e zonës.