Muzeu mori pjesë në programin e këtij viti me historinë “Mure që flasin”, përmes të cilit tregohet se si muret e muzeut, perdet dhe çdo sipërfaqe është shndërruar në një rrëfim përmes statistikave, grafikave, teksteve, audiove dhe objekteve të cilat i japin zë “Shtëpisë me gjethe”, duke e vënë theksin te dëshmitë e të persekutuarve nga regjimi komunist.

Historia “Mure që flasin” (The Talking Walls) nënvizon rolin e muzeut si një hapësirë kujtese dhe edukimi mbi të kaluarën e vështirë të vendit tonë, duke e kthyer në një qendër reflektimi dhe dialogu për demokracinë.

“Këto janë vlera evropiane të cilat ndahen nga të gjitha vendet e Evropës. Tregimi ynë shpalos mënyrën se si muret e muzeut bëhen dëshmitarë të së shkuarës, duke sjellë zërat e atyre që vuajtën gjatë diktaturës dhe duke na kujtuar rëndësinë e lirisë dhe të demokracisë sot”, thotë Etleva Demollari.

Ajo shpjegon se tematika e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë ndryshon çdo vit. Këtë vit tematika është “Arkitektura – dritare në të shkuarën dhe derë për të ardhmen”. Edhe muzeu “Shtëpia me gjethe”, si shumë institucione të tjera evropiane, do të zhvillojë një aktivitet me këtë temë të përcaktuar nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian. Aktiviteti do të mbahet në kuadër të konferencës “Dritëhije”, në datën 26 shtator.