“Municipality4Youths”, BE investime 800 të rinj në Pukë

0
4

Bashkia e Pukës në bashkëpunim me Organizatën Digital Future, është duke implementuar projektin “Municipality4Youths” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Ky projekt zbatohet në kuadër të skemës së Granteve EU4Municipalities, e cila zbatohet për herë të parë në Shqipëri. Kjo skemë grantesh ka në fokus përmirësimin e infrastrukturës publike dhe shërbimeve të ofruara nga bashkitë e ndryshme të vendit tonë. Qëllimi kryesor i këtij projekti është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të lidhura me arsimin, sportin dhe rininë nëpërmjet rehabilitimit dhe modernizimit të infrastrukturës publike. Qarku i Pukës ka shumë burime natyrore, por gjatë viteve të fundit ka pësuar një rënie të madhe të popullsisë për shkak të emigrimit. Shumica e familjeve të reja zgjedhin të emigrojnë për t’i dhënë një jetë më të mirë fëmijëve të tyre. Duke rritur shërbimet e ofruara për të rinjtë, projekti synon të reduktojë sado pak flukset migratore dhe të inkurajoi zhvillimin e komunitetit lokal. Projekti “Municipality4Youths” synon të adresojë disa nga nevojat dhe kufizimet që kanë sot të rinjtë e kësaj zone. Nëpërmjet këtij projekti bashkia Pukë do të kryejë tre ndërhyrje të cilat do të përmirësojnë shërbimet për të rinjtë. Fillimisht një hapësirë pranë stadiumit të qytetit do të rehabilitohet dhe do të shndërrohet në një zonë rekreacioni të përbërë nga dy fusha sportive të aksesueshme nga i gjithë komuniteti. Ndërtimi i kësaj qendre sportive lokale shihet si një domosdoshmëri për rritjen sociale të të rinjve dhe zhvillimin e zonës, e cila aktualisht nuk po përdoret në asnjë mënyrë. Ndërhyrja e dytë konsiston në rehabilitimin e palestrës së shkollës Migjeni. Siç dihet, një sistem i mirë arsimor duhet të jetë në gjendje të kontribuojë pozitivisht në rritjen dhe zhvillimin e të rinjve, duke i ofruar atyre njohuri thelbësore, si dhe duke zhvilluar çfarëdo talenti dhe aftësie që ata kanë. Palestra e shkollës “Migjeni” aktualisht nuk ofron kushte të pranueshme për zhvillimin e orëve mësimore. Gjatë stinës së ftohtë të dimrit kjo orë mësimore pothuajse nuk kryet ndonjëherë. Falë këtij investimi 300 nxënës të shkollës “Migjeni” do të përfitojnë drejtpërdrejt nga rehabilitimi i palestrës, duke i mundësuar shkollës të zhvillojë siç duhet orët e edukimit fizik gjatë gjithë vitit akademik. Jo vetëm sport por edhe edukim. Ndërhyrja e tretë ka si objekt ngritjen e një qendre inovacioni. Kjo qendër do të krijohet për t’u siguruar të rinjve aftësitë e nevojshme për epokën digjitale. Do t’i ndihmojë ata të studiojnë më mirë sot dhe të rrisin mundësitë e tyre për të gjetur një punë më të mirë nesër. Një sallë e dedikuar brenda Qendrës Kulturore të Bashkisë do të restaurohet dhe furnizohet me pajisjet e nevojshme për këtë. Buxheti total i projektit kap vlerën 210.000 euro, nga të cilat mbi 130.000 euro do të shkojnë për investimet e lartpërmendura. Nga ky projekt do të përfitojnë 800 të rinj të bashkisë së Pukës. Është parashikuar që projekti të përfundojë në qershor të vitit 2023. ATSH