Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se ushtria shqiptare së shpejti do të pasurohet dhe me 2 avionë, të cilët do jenë për përdorim civil dhe ushtarak.
Në një intervistë televizive, Vengu informoi se po finalizohet procesi për blerjen e 2 avionëve për përdorim të dyfishtë, civil-ushtarak, të cilët do të kenë përdorim parësor shuarjen e zjarreve.
Vengu u ndal te vendimi i fundit i qeverisë për rikthimin e rezervistëve në forcë aktive. Ministri e cilësoi të domosdoshme këtë masë në kuadër të rienergjizimit të ushtrisë shqiptare, por edhe të mirëpritur nga ushtarakët e tërhequr.
Vengu theksoi se nisma e qeverisë shqiptare për rivitalizimin e industrisë ushtarake në vendin tonë është pritur me interes nga kompani serioze ndërkombëtare, me vendndodhje në SHBA dhe jo vetëm.
“Në 300 ditë që nga miratimi i ligjit kanë ndodhur shumë gjëra, janë ngritur 2 institucione, kompania shtetërore KAYO dhe Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes që licenson dhe rregullon veprimtarinë e prodhimit ushtarak. Kemi marrë 25 shprehje interesi nga konsorciume ndërkombëtare, që nga SHBA, vende europiane vende anëtare të NATO-s, Lindja e Mesme dhe Izraeli”, bëri të ditur Vengu.
Nga këto, ministri theksoi se “po veprohet me 6 negociata, për sistemin e artilerisë së rëndë, armatimit të lehtë në zonën e Rubikut, prodhimit të municioneve, prodhimin e mjeteve të blinduara dhe dje miratuam gjithashtu në qeveri edhe negociatën edhe për prodhimin e uniformave dhe pajisjeve personale”.
“Brenda shtatorit do fillojmë prodhimin për këtë komponent të parë dhe brenda vitit 2026 do kemi municionet “Made in Albania” dhe do vijojmë me mjetet e blinduara dhe në vijim me artilerinë”, shtoi ai.