Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në vendimin “Për miratimin e rregullores për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese”, të ndryshuar.

Në mbështetje të ligjit “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi që deri në nënshkrimin e marrëveshjes me agjenci apo organizata ndërkombëtare të mirënjohura në fushën e vlerësimit të strukturave akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1, të nenit 7, të kësaj rregulloreje, verifikimi dhe vlerësimi për klasifikimin e strukturave akomoduese me 4 apo 5 yje, që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar e të njohur ndërkombëtarisht “Brand name”, bëhet nga ministria përgjegjëse për turizmin, me aplikim të vetë sipërmarrësit turistik.

Pas përfundimit të këtij procesi, ministria përgjegjëse për turizmin lëshon certifikatë klasifikimi me 4 apo 5 yje ose vërtetim që konfirmon se struktura akomoduese përmbush kriteret e përgjithshme për t’u klasifikuar si hotel me 4 apo 5 yje.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.