Vërshimet e dy ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në shumë komuna të Kosovës, ndërsa Ministra e Punëve të Brendshme thotë se ka ngritur nivelin e angazhimit dhe koordinimin e të gjitha institucioneve në përballimin më të lehtë të kësaj situate. “Që nga fillimi i reshjeve të shumta të shiut me ç’rast dje gjatë ditës dhe mbrëmë u përballëm me vërshime në disa rajone të vendit tonë, Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur nivelin e angazhimit dhe ka vijuar me koordinimin e të gjitha institucioneve në përballimin më të lehtë të kësaj situate”m thuhet në njoftim. Përveç situatës me vërshime, sipas MPB-së, në disa zona mbrëmë ka pasur edhe rrëshqitje të dheut dhe bllokim të qarkullimit në disa rrugë nacionale, por pas koordinimit dhe angazhimit ndër-institucional, siç thuhet në njoftimin MPB-së, në orët e para të mëngjesit janë hapur të gjitha rrugët dhe tanimë të gjitha janë të qarkullueshme. “Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve në bashkëveprim me Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë arritur të evakuojnë familje që kanë qenë të bllokuar apo në rrezik potencial. E me kërkesë të Komunës së Mitrovicës, Agjencioni i Menaxhimit Emergjent ka dërguar ekipin e pompimit me kapacitet të lartë për intervenim ndërsa është dërguar edhe një cisternë uji për furnizim me ujë të pijes”, thuhet në njoftim. Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se është duke mbledhur dhe evidentuar të gjitha kërkesat në mënyrë që të aktivizojmë kapacitetet tona për ndërhyrje të menjëhershme me qëllim të parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtutjeshëm të situatës. MPB apelon tek qytetarët për bashkëpunim me institucionet duke kontaktuar pa pagesë në numrat: 112 – Numri unik emergjent 192 – Policia e Kosovës 193 – Zjarrfikësit dhe 194 – Ndihma e shpejtë. RTK