Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca informoi sot se po mbahen në monitorim të gjithë hidrovorët përmes drejtorive të Ujitje Kullimit, të cilët deri tani paraqiten në kuota normale. Krifca theksoi se “ndërsa situata meteorologjike vijon të jetë e ngarkuar, me reshje të shtuara dhe erëra të forta drejtoritë janë në gatishmëri dhe komunikim të vazhdueshëm me strukturat e Emergjencave Civile, bashkitë dhe OSSHE”. “Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, me anë të katër drejtorive rajonale është në kontakt me fermerët dhe kujton rekomandime të hollësishme se si ata duhet të tregohen vigjilentë për të marrë masa në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së kafshëve në fermë dhe prodhimeve bujqësore”, tha Krifca. Ministrja Krifca u shpreh se “rreziku i shkarkesave elektrike nga kushtet klimatike kërkon kujdes të veçantë në tufat e blegtorisë që ndodhen në kullota, ndërsa intensiteti i lartë i reshjeve të shiut mund të shkaktojë përmbytje të tokave bujqësore apo serave”. Në 24 orët e fundit vendi ynë është përfshirë nga reshje intensive shiu, ndërsa ka sjellë probleme në disa zona në veri të vendit.https://ata.gov.al/2022/11/20/moti-i-keq-krifca-po-mbahen-ne-monitorim-te-gjithe-hidrovoret/