Moti gjatë javës/Meteorologia: E enjtja dhe e premtja dy ditët më të nxehta, sa shkojnë temperaturat

0
70

Java ka nisur me kthjellime por të martën dhe të mërkurën moti sjell surpriza. Meteorologia Lajda Porja thekson se gjatë këtyre dy ditëve priten reshje shiu, kryesisht gjatë mesditës dhe pasdites. Reshjet do të jenë prezente përgjatë shtrirjes lindore të territorit por edhe në pjesën qendrore. Ndërkohë, sa i përket të enjtes dhe të premtes, moti përmirësohet ndjeshëm. Porja thotë se reshjet do të jenë në sasi të pakta, kryesisht në zonat malore. Meteorologia shtoi gjithashtu se e enjta dhe e premtja pritet të jenë dy ditët më të nxehta të kësaj jave pasi temperaturat shkojnë deri në 36 gradë. “Kjo javë ka nisur në ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme duke bërë që gjithë territori shqiptar të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët, vranësirave të lehta, të cilat më të dukshme do jenë në zonat malore por nuk priten reshje. Sa i përket vlerave termike, termometri gjatë ditës së sotme, do të ngjitet në 33 gjatë mesditës dhe në disa zona të izoluara edhe në 34 gradë. Dita e martë dhe e mërkurë, megjithëse do të nisë me diell, mesdita dhe pasditja do të rrezikohen nga reshjet ku nuk do të mungojnë edhe rrebeshet përgjatë shtrirjes lindore. Priten që reshjet të jenë prezente edhe në disa qendra të territorit. Dita e enjte dhe e premte do të jetë me mot të kthjellët dhe temperatura të larta në bregdet dhe zona të ulëta. Në zonat malore mbeten me rrebeshe të izoluara. Megjithëse reshjet do të jenë prezente në zonat malore, do të jenë në sasi të pakta. Termometri parashikohet të ngjitet në 35 apo 36 gradë ditën e enjte dhe të premte, që do të jenë edhe dy ditët më te nxehta të kësaj jave. Përsa i përket vendeve të rajonit, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nga e marta deri në fundjavë, do të jenë paraditet me diell, mesdita dhe pasditja do të rrezikohen nga rrebeshe shiu. Rrebeshe më të dukshme do të ketë në Malin e Zi dhe Kosovë dhe më pak në Maqedoninë e Veriut.”, tha Lajda Porja./abcnews.al