Nga mbrëmja e së enjtes e deri mëngjesin e sotëm moti i ngrohtë e me diell ua ka lënë vendin reshjeve. Në parashikimin e motit të fundjavës, meteorologia Lajda Porja shprehet për Klan News se reshjet do të jenë të pranishme përgjatë gjithë së premtes. Rreth mbrëmjes situata përmirësohet dhe të shtunën reshjet mbeten në verilindje e juglindje. Të dielën rikthehet dielli dhe temperaturat e larta. Lajda Porja: Gjatë gjithë ditës së sotme, të paktën deri vonë në mbrëmje herë pas here reshjet do të jenë të pakta dhe herë pas here do të kemi rrebeshe. Në mesditë presim që të kemi rrebeshe shiu në zonat qendrore dhe jugore dhe më pak reshje në veriun e vendit. Sa u përket reshjeve, herë pas here do  të ketë ndërprerje, herë pas here rrebeshe, të paktën deri në orën 20:30-21:00 të mbrëmjes do të jenë prezente. Vonë  në mbrëmje pritet një përmirësim i dukshëm i situatës së reshjeve duke bërë që të shtunën të zhvendosen drejt skajit verilindor e juglindor ku dhe në këto zona do të jenë të pakta. Dita e diel do të na risjellë diellin. Temperaturat e ajrit nuk kanë pasur ndryshime të dukshme, ka vijuar mëngjesi relativisht i ngrohtë me vlera të paktën 6 apo 7 gradë, ndërkohë presim një rënie të theksuar të temperaturave në vlerat e mesditës për shkak se do të ketë edhe mungesë të rrezatimit  diellor. Dje është shënuar 25-26 gradë, sot të paktën do të jenë jo më shumë se 21 apo 22 gradë, pra ka një rënie goxha të ndjeshme për shkak se reshjet do të jenë edhe gjatë mesditës prezente. E shtuna dhe e diela gradualisht do të rikuperojnë  temperaturat. Të shtunën ka një rritje të lehtë dhe të dielën do të kemi një rritje me të paktën 3-4 gradë edhe në mëngjes, edhe në mesditë duke na rikthyer edhe temperaturat normale të muajit maj. Pas së  dielës do të kemi tempratura tipike të verës. Sa i përket parametrit të erës, do të jetë herë pas here problematik sot, gjatë natës dhe në mëngjesin e së shtunës. Duke filluar nga pjesa e dytë e së shtunës dhe e diela do të ketë një dobësim të parametrit të erës.