Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë sot në takimin e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të mbajtur në Strasburg.
Hasani u shpreh pas takimit se, mosshqyrtimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim sot është një mundësi e humbur.
Sipas tij, mbështetja e Asamblesë Parlamentare të KiE në prill pasqyroi një përkushtim për solidaritet që duhet të ketë zë.
Hasani theksoi se, Kosova duhet të vijojë punën për përmbushjen e zotimeve të ndërmarra.
“Dështimi për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, është një mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë një vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike. Është e nevojshme që qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”, u shpreh Hasani.
Ai shtoi se duhen vijuar përpjekjet për të mbledhur së afërmi një komitet tjetër ministrash
“Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet i Ministrave të KiE. Të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur çka i kemi borxh popullit të Kosovës”, u shpreh kryediplomati shqiptar.
Hasani theksoi më tej se, 75-vjetori i KiE është simbol i përpjekjeve të evropianëve për të ndërtuar një hapësirë të përbashkët.
“Solidariteti me Ukrainën është parimor në mbrojtje të trashëgimisë dhe vlerave të KiE”, tha Hasani, teksa shtoi se, “në 29 vite si pjesë e KiE, Shqipëria ka pasur arritje të jashtëzakonshme në 3 shtyllat e organizatës”.