Ky rikonfirmim vjen si pasojë e vlerësimit pozitiv të qëndrueshmërisë makroekonomike të vendit, pavarësisht sfidave të mëdha si tërmeti i vitit 2019, pandemia globale dhe kriza energjetike në Evropë. Moody’s thekson aftësinë e ekonomisë shqiptare për rimëkëmbje të shpejtë dhe qëndrueshmëri strukturore, duke ruajtur stabilitetin në një mjedis sfidues ndërkombëtar.

Në raport, agjencia vlerëson se perspektiva afatmesme e rritjes ekonomike në Shqipëri mbetet pozitive, me një parashikim të rritjes reale të PBB-së prej 3.7% në vitin 2025 dhe 3.5% në vitin 2026. Kjo rritje do të nxitet nga konsumi i brendshëm, si dhe investimet e vazhdueshme në infrastrukturën e turizmit dhe energjisë.

Sektori i turizmit pritet të mbetet një ndër kontribuuesit kryesorë në rritjen ekonomike, përmes rritjes së eksporteve të shërbimeve dhe investimeve në ndërtim, thekson në raportin e saj Moody’s.

Moody’s vë në dukje se borxhi publik ka ndjekur një trajektore rënëse që nga viti 2022, pas tre krizave të njëpasnjëshme. Raporti i borxhit ndaj PBB-së ra në 54.2% në vitin 2024, nga një kulm prej 74.1% në 2021. Parashikimet për vitin 2026 e vendosin këtë raport në 53.5%, i mbështetur nga rritja ekonomike dhe një suficit primar fiskal.