Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se në rishikimin më të fundit të opinionit të saj, Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, rikonfirmon vlerësimin aktual të Shqipërisë, “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”.
Agjencia vlerëson se stabiliteti makroekonomik u ruajt gjatë tri goditjeve të mëdha që pësoi ekonomia shqiptare në vitet e fundit, tërmeti në fund të vitit 2019, pandemia që e shtyu ekonominë shqiptare në recesion në vitin 2020 dhe kriza evropiane energjetike që filloi në vitin 2022, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Agjencia vlerëson se ekonomia e Shqipërisë tregoi rezistencë ndaj goditjeve me të cilat u përball, duke u rikuperuar fuqishëm në 8.9 % në 2021 dhe 4.9 % në 2022, pas një tkurrjeje ekonomike prej 3.3 % në vitin 2020, ku sektori i turizmit u ndikua nga pandemia.
Tashmë, sektori i turizmit ka tejkaluar nivelin e tij para pandemisë në vitin 2022 dhe do të arrijë një kulm të ri në vitin 2023. Gjithashtu, agjencia është e opinionit se në periudhën afatgjatë, aftësia e vendit për të mbështetur procesin e konvergjencës së të ardhurave për banorë me vendet e BE-së do të varet nga suksesi i qeverisë në zbatimin e reformave strukturore dhe rritjen e konkurrencës në raport me vendet e tjera të rajonit.
Treguesit fiskalë kanë qenë në një trend pozitiv, pas përkeqësimit të ndjeshëm në vitin 2013. Megjithatë, tri goditjet e mëdha me të cilat u përball ekonomia shqiptare vitet e fundit kanë rënduar mbi financat publike.
Ndërsa borxhi publik total ndaj PBB-së (përfshirë garancitë) u rrit me pothuajse 9 pikë përqindjeje gjatë viteve 2019-21, duke kulmuar në 74.5 % në vitin 2021, në vitin 2022, raporti i borxhit publik rihyri në një trend të fortë zbritës dhe u zvogëlua me pothuajse 10 pikë përqindjeje, duke u ulur nën nivelin parapandemik të vitit 2019.
Kryesisht si rezultat i zgjerimit të PBB-së dhe ngushtimit të bilancit fiskal, agjencia parashikon rënie të raportit të borxhit publik në 62.3 % të PBB-së në vitin 2024 (12.2 pikë përqindjeje nën kulmin e vitit 2021 prej 74.5 %) dhe 3.5 pikë përqindje nën nivelin parapandemik të vitit 2019.
Pozicionimi i Shqipërisë krahasuar me mesataren e vendeve të vlerësuar me B1, mund të përmirësohet më tej si rezultat i raportit të borxhit të saj 2.2 pikë përqindje nën mesataren e vendeve të vlerësuar me B1 në 2024, krahasuar me 0.5 pikë përqindjeje nën këtë mesatare që ishte në 2022.