Sunday, November 24, 2024
HomeSHKENCA DHE JETAMonitorimi Agrometeorologjik dhe Parashikimi afatshkurter per Rajonin Devoll

Monitorimi Agrometeorologjik dhe Parashikimi afatshkurter per Rajonin Devoll

• Përshkrim i përgjithshëm

Bujqësia luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë në tërësi por në vecanti, në ekonominë e rrethit të Devollit. Në këtë sektor, janë punësuar dhe jetojnë me të ardhurat e bujqësisë një pjesë e madhe e fuqisë punëtore të disponueshme të zonës. Përdorimi dhe kultivimi i tokës në zonën e Devollit vitet e fundit është gjallëruar duke rritur dukshëm sipërfaqet e mbjellë kryesisht me mollë, një kultivar specifik i zonës. Në mënyrë që të ketë një kultivim më efikas, është i domosdoshëm përdorimi i teknologjisë agrobujqësore për të arritut qëllimet kryesore:
• Rritjen e kultivimin e pemëve të shëndetshme
• rritjen e produktivitetit dhe rentabilitetin
• redultimin e kostove të prodhimit
• rritjen e cilësisë dhe të cmimit
• shitjen paraprake të sigurt
Këto qëllime mund të arrihet me ndihmën e teknologjisë dhe praktikave më efikase bujqësore të cilat ndihmojnë rritjen e prodhimit jo vetëm duke minimizuar kostot që shkojnë për pesticide dhe vaditje por edhe duke gjeneruar informacion shumë të vlefshëm në shërbim të të gjitha hallkave të zinxhirit të gjatë nga mbjellja në shitje. Një nga elementët bazë të teknologjisë janë matjet agro-meteorologjike të cilat ndikojnë në shkallë të lartë:
• rritjen e rendimenteve
• përmirësimin e shëndetit të kultivarit
• përdorimin efektiv të inputeve e burimeve
• mirë-menaxhimin e burimeve të vlefshme natyrore
• minimizimin e impaktit të kushteve atmosferike ekstreme

Më konkretisht, matjet në pika specifike të cilat japin jo vetëm informacion mbi mikro-klimat e zonës por bëjnë të mundur edhe marrjen e të dhënave në kohë reale, ndikojnë në organizimin operacional të proceseve agrobujqësore.
Po ashtu, matjet agrometeorologjike ndikojnë planifikimin paraprak por edhe në kohë reale, të nevojave të kultivimit pasi matja dhe leximi i të dhënave është lehtësisht i aksesueshëm si pasojë e avancimit teknologjik në drejtim të agrobujqësisë. Zotërimi i të dhënave në mënyrë direkte nga terreni apo një ose disa zyra operacionale të autoritetit lokal apo qendror bën të mundur shkëmbimin lehtësisht të të dhënave/informacionit ndërmjet fermerit dhe agronomit, ndërmjet fermerëve apo ndërmjet fermerëve dhe autoritetit lokal.

Përvec pajisjeve matëse, një ndikim të rëndësishëm në proceset agrobujqësore ka informimi paraprak me kushtet meteorologjike të rajonit të Devollit në përgjithësi por edhe të zonave të vecanta brënda këtij rajoni. Ndër faktorët meteorologjikë, me ndikim më të lartë konsiderohen prezenca e reshjeve (shira/dëborë), temperature dhe lagështia e ajrit, temperature dhe lagështia e shtresës tokësore në thellësi të ndryshme, etj. Një impact shumë të lartë në agrobujqësi kanë fenomet specifike atmosferike si periudhat me temperature ekstremisht të larta apo të ulëta, reshjet intensive të shiut apo dëborës, stuhitë e breshërit apo të erës dhe periudhat e ngricave.

Për optimizimin e ndikimit të kushteve meteorologjike në prodhimin agrobujqës por vecanërisht, për minimizimin e dëmeve si pasojë e kushteve atmosferike ekstreme lind nevoja e planifikimit paraprak të masave menaxhuese dhe mbrojtëse. Ky planifikim lidhet ngushtësisht me parashikimin afat-shkurtër meteorologjik i cili bën të mundur përdorimin e informacionit paraprak në shërbim të punës operacionale 1 – 3 ditore të agronomëve dhe fermerëve të zonës me interes. Parashikimi meteorologjik afat-shkurtër përfshin informacion meteorologjik dhe të dhëna mbi kushtet atmosferike në shërbim të përdoruesve, në një avancë kohore 3-ditore.

Konkretisht, parashikimi afat-shkurtër përmban informacion dhe të dhëna mbi parametrat kryesorë atmosferikë për 3 ditët vijuese. Saktësia e këtij parashikimi varion nga 94% në 99% për elementin temperaturë e ajrit, nga 90% në 99% për elemetin reshje atmosferike dhe nga 85% në 99% për parashikimin sasior të reshjeve 24-orëshe.

Integrimi i të dhënave reale nga sistemi monitorues agrometeorologjik me të dhënat e parashikuara krijon tablonë e plotë të situatës meteorologjike për rajonin në tërësi por edhe të zonave të vecanta, ku ky sistem funksionon në mënyrë operacionale. Po ashtu, instalimi i këtij sistemi bën të mundur krijimin e arkivave klimatike dhe regjistrimin e ngjarjeve të motit ekstrem të cilat shërbejnë për planifikimet afat-gjata dhe për krijimin guidës lokale agrobujqësore.

• Qëllimi i implementimit të sistemit monitorues – SMA

Instalimi i rrjetit automatik agrometeorologjik ka si qëllime kryesore:

• Ndërtimin e database-it lokal klimatik
• Matjet reale agrometeorologjike
• Instalimin e modeleve të parashikimit lokal agrometeorologjik
• Gjenerimim e parashikimit meteorologjik afatshkurtër dhe afatmesëm
• Krijimin e website-it për shkëmbimin e të dhënave
• Aksesin në kohë reale në të dhënat dhe parashikimin agrometeorologjik
• Instalimin e sistemit të shpërndarjes në kohë reale të informacionit

Instalimi dhe funksionimi i këtij sistemi monitorues bën të mundur informimin në kohë reale të fermerëve, agronomëve, pushtetit local dhe qendror, mbi kushtet atmosferike aktuale dhe parashikimin meteorologjik nga 3 në 5 ditë në avancë.

Informacioni dhe të dhënat e përfituara nga ky sistem bëjnë të mundur reduktimin e përdorimit të pesticideve duke mbrojtur produktin nga mbispërkatja, rrjedhimisht duke siguruara cilësi më të mirë produkti. Po ashtu, ky informacion redukton kostot ekstra të prodhimit në të gjitha hallkat e zinxhirit prodhues që nga mbjellja e deri në vjelje. Një nga qëllimet kryesore është edhe dokumentimi i ngjarjeve të motit ekstrem si dhe krijimi i arkivës së të dhënave klimatike për planifikimet afat-gjata në agrobujqësi.

• Karakteristikat klimatike të zonës

Rajoni me interes studimi shtrihet në juglindje të Shqipërise duke u kufizuar në perëndim me Korçën nga mali i Moravës, në jugperëndim kufizohet me Kolonjën nga mali Gramoz ndërsa në lindje – verilindje, kufizohet me Greqinë me një vijë kufitare prej 83 km. Përsa i përket orografisë së Devollit, zonat juglindore kanë reliev kodrinor ndërsa verioret janë të sheshta ku shtrihet fusha e Bilisht.

Kushtet klimatike të rajonit të Devollit janë të karakterit continental ku mbizotëron dimri i ftohtë me reshje të pakta, kryesisht dëbore ndërsa vera e nxehtë dhe e thatë. Temperatura mesatare vjetore vlerësohet 9.9 gradë C duke prezantuar luhatje të vogla në shkallë lokale ku muaji më i ftohtë është janari me temperaturë mesatare prej 0.0 gradë C ndërsa muaji më i ngrohtë është korriku, me temperature mesatare prej 19.4 gradë C. Temperaturat mesatare minimale gjatë vitit variojnë nga -3.8°C në 12.4°C dhe mesataret maksimale gjatë vitit variojnë nga 3.7°C në 26.3°C, respektivisht në muajt janar dhe korrik ndërsa vlerat ablsolute vjetore të temperaturave ekstremale për zonën e Devollit, luhaten nga – 23.7°C (shkurt) në 38.2°C (korrik).

Përsa i përket tablosë së reshjeve vjetore, në këtë zonë vrojtohen mesatarisht 620 mm reshje në vit duke e klasifikuar si zonë e thatë e Shqipërisë (referuar mesatares territoriale prej 1450 mm/vit).

Periudha më e lagësht e vitit është periudha tetor – maj gjatë së cilës bien rreth 80% e reshjeve vjetore ndërsa periudha më e thatë eshtë qershor – shtator gjatë së cilës bien vetëm 20% e reshjeve vjetore. Po ashtu, numri i ditëve me reshje gjatë vitit arrin në 85 ditë/vit ku minimumi i takon muajit gusht me 4 ditë dhe maksimumi me 10 ditë me reshje, muajit dhjetor.

Karakteristika të tjera klimatike të rajonit Devoll janë numri i ditëve me ngrica gjatë vitit, lartësia mesatare dhe maksimale e shtresës së dëborës, kohëzgjatja e ditëve të ftohta apo të ngrohta, etj.

• Sistemi Monitorues Agrometeorologjik

Sistemi monitorues agrometeorologjik përbëhet nga një numër stacionesh që kryejnë matje agrometeorologjike dhe transmetojnë në kohë reale (cdo 10 minuta) në mënyrë automatike drejt një PC qendrore nëpërmjet sistemit transmetues GPRS (skema në vijim).

*** Skema e sistemit monitories agrometeorologjik

Sistemi krijohet nga integrimi i pajisjeve matëse me programe apo soft-e për llogaritjen dhe vizualizimin e të dhënave të matura nga sensorët matës të stacioneve. Sensorët matin parametrat kryesorë atmosferikë si temperature e ajrit, presioni atmosferik, lagështia e ajrit, rrezatimi diellor, reshjet atmosferikë, shpejtësinë/drejtimin e erës, lagështirën dhe temperatureën e tokës në nivele të ndryshme thellësie, sasinë e avullimit, etj (figurat vijuese).

Po ashtu, pjesë e stacionit matës (por edhe pjesë e sistemit të plotë) janë pajisjet ndihmëse të cilat bëjnë të mundur ushqimin me energji, transmetimin, ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave të matura në terren (figurat vijuese).

  • Stacioni agrometeorologjik

Ku datalogger-i bën të mundur grumbullimin dhe ruajtjen e të dhënave të matura të cilat më pas nëpërmjet sistemit telemetrik GPRS transmetohen në kohë reale drejt PC-server qendror.

Ndërsa paneli diellor shërben për të furnizuar plotësisht me energji stacionin matës dhe furnizon pjesërisht në rastin kur stacioni është me ngrohje. Po ashtu, në stacion instalohen në mënyrë të integruar sensorët e matjes së temperaturës, presionit atmosferik, lagështisë së ajrit, rrezatimit diellor, reshjet, shpejtësisë/drejtimit të erës, lagështirës dhe temperaturës së tokës në thellësi të ndryshme, etj. Të gjitha matjet e sensorëve të stacionit grumbullohen në datalogger prej nga transmetohen telemetrikisht drejt PC-serverit qendror ku i nënshtrohen proceseve të përpunimit, llogaritjes dhe vizualizimit të të dhënave.

• Zona e aplikimit

Instalimi i sistemi monitorues agrometeorologjik në zonën e Devollit parashikohet të ketë një numër të caktuar stacionesh automatikë. Në këto stacione do të integrohen sensorët për matjen e parametrat atmosferikë si temperature e ajrit, presioni atmosferik, lagështia e ajrit, rrezatimit diellor, sasia dhe lloji i reshjeve, shpejtësia dhe drejtimi i erës, lagështia dhe temperature e tokës në thellësi të ndryshme, etj. Në këto stacioni mund të integrohen edhe sensorë për matje specifike si avullimi, etj. Në varësi të numrit të stacioneve automatike që do të instalohen, bëhen edhe llogaritjet e pajisjve ndihmëse, bazës material dhe punës së krahut për instalim si dhe bazuar në burimet njerëzore që do të përfshihen në implementimin e këtij projekti, shtrohen edhe nevojat për trajnim të stafit.

Instalimi dhe bërja funksionale e një sistemi të tillë nuk kërkon infrastrukturë të ndërlikuar pasi kërkesat kryesore për instalim janë:

  • sipërfaqe toke prej ≈ 2m2 ku montohet bazamenti dhe shtylla e stacionit
  • burim energjie të vazhdueshëm që të realizohen matjet
  • kartë SIM (lidhje GPRS) që të transmetohen të dhënat
  • IP statike në një PC-server qendror
  • trajnimi i stafit të menaxhimit dhe përpunimit të të dhënave

• Parashikimi afat-shkurtër meteorologjik
Parashikimi meteorologjik afat-shkurtër me shtrirjen 1 – 3 ditore, gjeneron informacion në avancë kohore, mbi parametrat kryesorë atmosferikë. Informacioni përfshin kushtet e pritshme në lidhje me vranësirat, reshjet (sasia/lloji), temperaturat ekstremale ditore të ajrit, drejtimin dhe shpejtësinë e erës si edhe parashikim specifik në rastet e ngjarjeve të motit ekstrem si reshje intensive shiu/dëbore, temperature ekstremisht të larta/të ulëta, stuhi të fuqishme ere, periudha të tejzgjatura ngrice apo dëbore, etj.

Informacioni i parashikimit gjenerohet 1, 2 apo deri 3 herë në ditë sipas kërkesës së përdoruesve ndërsa në rastet e ngjarjeve të motit ekstrem, informacionin gjenerohet cdo 3 orë. Përdorimi i informacionit meteorologjik nuk kërkon njohuri specifike meteorologjike por përdoruesit e niveleve të ndryshme trajnihen në lidhje me përdorimin efiksa të këtij informacionin.

• Trajnimi i stafit dhe përdoruesve të informacionit

Trajnimi i burimeve njerëzore, që parashikohet të jenë pjesë e implementimit të sistemit monitorues agrometeorologjik duke përfshirë specialistin IT, specialistët e fushës, inxhinierët, agronomët dhe fermerët, trajnohen në varësi të procesit të tyre të punës dhe të pozicionit që do të kenë në implementim.

Po ashtu, një rendësi I jepet trajnimit të fermerëve në drejtim të përdorimit efikas të të dhënave që merren nga ky system si dhe në lidhje me informacionin e parashikimit meteorologjik.

Detaje të trajnimit, vendosen pas miratimit për implementimin e sistemit si edhe në varësi të numrit dhe nivelit professional të burimeve njerëzore që do të përfshihen në implementim.

• Përfundime
Implementimi me sukses i sistemit monitorues agrometeorologjik në zonën e Devollit do të bentë që:

• të kultivohen pemë të shëndetshme
• të rritet produktiviteti dhe rentabiliteti i pemëve
• të reduktohen kostot e prodhimit
• të rritet cilësia dhe cmimi i produktit
• të synohet shitja paraprake e prodhimit
• të rritet efektiviteti i përdorimit të burimeve natyrore
• të përmirësohet menaxhimi i burimeve natyrore
• të minimizohet impakti i kushteve atmosferike ekstreme në prodhim
• të ndërtohen plane afatgjata të kultivimit/prodhimit bazuar në arkivën klimatike dhe dokumentimin e ngjarjeve të motit ekstrem

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments