Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIModernizimi i sistemeve të pagesave, ndikim në formalizimin dhe zhvillimin e ekonomisë

Modernizimi i sistemeve të pagesave, ndikim në formalizimin dhe zhvillimin e ekonomisë

Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë mbi zhvillimet e sistemeve të pagesave të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt, Gjermani. Punimet e tij u përqendruan në zhvillimet e sistemeve të pagesave dhe shlyerjeve, ku BQE-ja prezantoi se si eurosistemi përmbush mandatin lidhur me këtë funksion, duke ndihmuar në arritjen e objektivit të përbashkët për të sjellë sistemet e pagesave të Ballkanit Perëndimor më afër standardeve të BE-së. Gjithashtu, takimi shërbeu si një platformë e mirë për shkëmbim pikëpamjesh ndërmjet përfaqësuesve të eurosistemit dhe vendimmarrësve të nivelit të lartë në bankat qendrore të Ballkanit Perëndimor, dhe dy agjencive mbikëqyrëse bankare në Bosnje-Hercegovinë. Zëvendësguvernatorja Minxhozi, gjatë fjalës së saj, prezantoi zhvillimet më të fundit lidhur me sistemet e pagesave në vendin tonë. Ajo theksoi se sistemet e pagesave dhe tregjet e pagesave tashmë janë të lidhura dhe të ndërthurura ngushtë me shkëmbimet ekonomike midis vendeve dhe me rritjen ekonomike të tyre. Në këtë kuadër, ajo theksoi se modernizimi i sistemeve të pagesave është i domosdoshëm dhe një objektiv i menjëhershëm i bankave qendrore, i cili ndikon gjithashtu në formalizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë. Minxhozi u shpreh se projekti rajonal për “Modernizimin e sistemit të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor” përbëhet nga një tërësi masash mbështetëse, të cilat ndihmojnë zhvillimin e tregut të përbashkët rajonal dhe të planit ekonomik të investimeve për Ballkanin Perëndimor. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor tashmë janë angazhuar tërësisht në zhvillimin e tregut të përbashkët, të bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, për ta bërë rajonin tonë më tërheqës për investitorët, për të rritur konkurrueshmërinë e tij, duke e sjellë kështu më afër me tregjet e BE-së. Përmirësimi i pagesave ndërkufitare me juridiksionet joanëtare të BE-së, si dhe sistemet efektive dhe të ndërveprueshme të pagesave me vlerë të vogël, janë të pasqyruara gjithashtu në Strategjinë e BE-së për Pagesat me Vlerë të Vogël, të miratuar së fundmi. Në fokus të këtyre zhvillimeve është zvogëlimi i kostove për pagesat rajonale; përgatitja e rajonit për t’u bashkuar me Zonën e vetme të Pagesave në Euro (SEPA); si dhe krijimi i një zgjidhjeje për pagesat në kohë reale brenda vendit në vendet që nuk e kanë ende një të tillë. Qëllim kryesor është gjithashtu dhe përgatitja e tyre për t’u bashkuar me TIPS, sistemin e pagesave në kohë reale SPI, që operon BQE-ja. Një fokus të punës së Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe zhvillimi i mëtejshëm i sistemeve të pagesave dhe përmirësimit të kuadrit rregullativ, me qëllim reduktimin e kostove të pagesave në vendin tonë, rritjen e eficencës, duke synuar uljen e informalitetit dhe rritjen e përfshirjes financiare. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është hartimi i projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, së bashku me rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”, të cilat kanë si qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe ridimensionimin e veprimtarisë aktuale të institucioneve financiare, duke nxitur konkurrencën në treg, me një ndikim të rëndësishëm në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit. Në rolin e mbikëqyrësit të sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të madhe praktikave të BE-së dhe zhvillimeve të reja, me qëllim implementimin sa më të shpejtë të tyre. Siguria dhe efikasiteti i pagesave përbëjnë objektiva të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë për ruajtjen e besimit në monedhën vendase dhe nxitjen e një ekonomie efikase. Së fundi, Minxhozi shtoi se Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, BE-në dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, kanë punuar për të përmbushur plotësisht kërkesat ligjore dhe rregullatore të SEPA-s

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments