Krijimi i një modeli menaxhimi për luftimin e dëmtuesit të procesionares së pishës, të financuar nga Italian-Albanian Debt for Development Swap, bëri bashkë aktorët kryesorë koordinues të projektit, përfaqësues institucionesh, punonjës të strukturave të pyjeve në bashki, Shoqata mjedisoresh, ekspertë dhe specialistë të fushës.
Aktiviteti u organizua nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Agjencia Pyjore e Kosovës.
Artur Kala, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, gjatë fjalës përshëndetëse theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së projekteve të tilla si një mundësi për të përmirësuar gjendjen e pyjeve në sipërfaqe të paracaktuara të fondit pyjor.
“Përmes praktikave të reja shkencore synojmë një mbështetje të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve njerëzore për sektorin e pyjeve”, tha ai.
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese (AKP) me institucionet e arsimit të lartë (UBT/FShP) si një mesazh i fortë në krijimin e modeleve të punëve të përbashkëta, çka realisht kërkohet për tu përballur me efektet e ndryshimeve klimatike.
Ndërsa Fidan Dema, drejtor ekzekutiv në Agjencinë Pyjore të Kosovës, në fjalën e tij shprehu rëndësinë e bashkëpunimit midis dy institucioneve (AKP-së dhe AP Kosovë) dhe konkretizimin e aktiviteteve të përbashkëta në këtë sektor.
Gjatë takimit që u organizua në Tiranë, fjalën e mori edhe Elvin Toromani, dekan në Fakultetit të Shkencave Pyjore, i cili vuri në dukje rëndësinë e zgjedhjeve shkencore dhe të qëndrueshme për luftimin e dëmtuesit të procesionares si parakusht për mbrojtjen e biodiversitetit në pyje dhe zhvillimin e ekosistemeve pyjor.
Në këtë takim u prezantuan temat mbi sfidat e shëndetit të pyjeve në kushtet e ndryshimeve klimatike; Hartimi i një modeli menaxhimi për luftimin e dëmtuesit të procesionares së pishës; Procesionaria e pishës, masat e kontrollit.
Aktivitetet kryesore të projektit janë Hartimi i protokolleve operacionale për kontrollin e procesionares. Fuqizimi i laboratorit qendror dhe ndërtimi i 3 (tre) laboratorëve rajonalë në bashkitë Elbasan, Bulqizë dhe Fushë-Arrëz për riprodhimin e insektit Calosoma sycophanta, i cili ushqehet me larvat e dëmtuesit.
Gjithashtu në fokus do të jetë trajnimi i stafit të shërbimit pyjor pranë këtyre bashkive si dhe aplikimi i metodave të kombinuara (mekanike dhe biologjike) në sipërfaqe pilot, me qëllim krijimin e kapaciteteve të nevojshme për kontroll të qëndrueshëm.