Kontrolli biologjik i aplikuar konsiderohet një zgjidhje miqësore me mjedisin dhe me kosto efektive, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e masiveve të gështenjës dhe në të ardhurat e fermerëve të vegjël, për të cilët grumbullimi dhe shitja e frutit përbën një burim kryesor jetese.
Programi parashikon ngritjen e laboratorëve rajonalë për shumimin dhe shpërndarjen e agjentëve biologjikë, angazhimin e bashkive me ambiente dhe staf teknik për monitorimin në terren, si dhe mbështetje teknike nga FAO përmes trajnimit të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë. Procesi synon rikuperim gradual të prodhimit, me rezultate të pritshme pas vitit të katërt dhe rikthim të plotë brenda 8–10 viteve nga ndërhyrja.
Ky bashkëpunim zhvillohet në kuadër të nismës globale të FAO-s “Një vend, një produkt prioritar” (OCOP), që synon promovimin e produkteve bujqësore me vlerë strategjike dhe forcimin e zhvillimit të qëndrueshëm rural.





