Flukset e larta turistike kanë sjellë mobilizimin 24 orë të skuadrave të pastrimit, kryesisht në zonat brengdetare. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, inspektoi sot bregdetin e Vlorës, teksa bëri të ditur se bashkëpunimi me biznesin për të mbajtuar pastër mjedisin është i rëndësishëm. Kumbaro paralajmëroi edhe se ndotësit e mjedisit do të ndëshkohen sipas ligjit. Ministrja theksoi, Vlora ishte fronti më i vështirë krahasuar me qytetet e tjera bregdetare, sepse ju shtua paketës së pastrimit të bregdetit këtë vit. “Tejet i rëndësishëm ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi me të gjitha bizneset për ta trajtuar me prioritet çështjen e mbetjeve të gjeneruara përditë, kurse për ndotësit e papërgjegjshëm nuk do të falen ndëshkimet sipas ligjit, sepse s’mund të zhvillohet turizëm pa respektin ndaj mjedisit”, u shpreh Kumbaro. Ministrja Kumbaro bëri të ditur se fluksi i turistëve shënoi rritje me mbi 30 % gjatë gjysmës së parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Ajo u shpreh optimiste për numrin e turistëve që do të zgjedhin Shqipërinë këtë vit. Nga ana e tij, Dredha u bëri thirrje qytetarëve dhe operatorëve turistikë dhe hotelierë të angazhohen në mbajtjen pastër të mjedisit. Sipas tij, tashmë janë analizuar të gjitha problematikat dhe do të vendosen gjoba për të gjithë operatorët hotelierë që ndotin mjedisin. Një tjetër çështje që ngriti ministrja ishte zhurma nga bizneset, kryesisht me muzikë gjatë natës. Sipas saj, Ministria po harton një udhëzim që do t’u vijë në ndihmë bashkive për të hartëzuar zonat ku do të lejohet muzika. atsh
Mobilizimin 24 orë i skuadrave të pastrimit në bregdet
RELATED ARTICLES