Ai ishte i biri i Julius Shvarc dhe Saveta Çipit. I ati ishte hebre nga Austria i lindur në Sarajevë, me profesion teknik elektrik, i gjyshi Siegfried ishte nga Vjena, ndërsa e ëma vinte prej një familjeje elbasanase, me profesion rrobaqepëse. Familja Shvarc u zhvendos në Shqipëri më 1925 duke u vendosur fillimisht në Shkodër. Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Shvarci ishte i pari intelektual i kulturës shqiptare që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i kohës akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Me emrin e Shvarcit lidhen një varg shqipërimesh nga më mjeshtëroret, ku vlen të përmenden: “Tre shokë”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, “Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi” nga Erih Maria Remark; “Çifutja e Toledos”, “Françesko Goja” nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, “Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj”, “Kënga e një nëne gjermane”, “Ditët e Komunës”, “Arturo Ui”, “Pushkët e nënës Karrar”, “Opera për tre grosh”, “Baali”; nga Heinrich Heine: “Gjermania, përrallë dimri”; nga Gëte dhe Shileri: “Poezi dhe balada”. Ndërkaq Shvarc ka ka përkthyer në gjuhën gjermane edhe autorë shqiptarë, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Gaqo Bushaka, Ervin Hatibi, Mimoza Ahmeti, Rexhep Qosja etj. Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu titulli “Mjeshtër i Madh”. Përkthyesi e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të “Qytetarit të Nderit të Tiranës”, që iu dha me rastin e 70-vjetorit të lindjes. U nda nga jeta më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.