Këshilli i Ministrave miratoi sot një akt të rëndësishëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që ka të bëjë me reformën spitalore dhe çeljen e autonomisë spitalore dhe hapësirave që krijon ligji për të mundësuar krijimin e instrumenteve, të cilat mbështesin profesionistët e shëndetësisë në sistemin spitalor. Në një komunikim me mediet, pas mbledhjes së qeverisë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi se “akti që ka kaluar sot është vendimi për mundësinë e ofrimit jashtë regjimit të punës së përcaktuar nga punëdhënësi të shërbimeve të konsultave ambulatore për pacientët jashtë sistemit të referimit”. “Ky është një akt i cili është propozuar nga ligji për kujdesin shëndetësor spitalor, i hap rrugën praktikën dyfishe. Të gjitha spitalet të cilat do të ecin përpara me modelin e ri të autonomisë spitalore dhe do të kenë përfituar kartën e autonomisë menaxheriale do të kenë mundësi që të ushtrojnë instrumente të tilla siç është i ai i praktikës dyfishe, i cili i lejon mjekët të kryejnë konsulta ambulatore jashtë regjimit të punës duke mundësuar që të kenë të drejtën për të ofruar konsulta ambulatore jashtë sistemit të referimit për pacientët që zgjedhin mjekun dhe nëpërmjet instrumentit të krijuar të kenë mundësinë për t’u konsultuar me mjekun që duan jashtë kohës së punës që mjeku ka me spitalin”, nënvizoi Manastirliu, duke shtuar se kështu përcaktohen edhe tarifa të ndryshme nga bordi i spitalit. Ministrja Manastirliu vuri në dukje se “ky është një instrument, i cili do të jepet vetëm për ato spitale që do të jenë pjesë e autonomisë spitalore, që do të kenë përfituar kartën e autonomisë menaxheriale. Mjekët do të kenë mundësi që aplikojnë sipas kritereve të përcaktuara në këtë vendim, pra krijohet instrumenti dhe përcaktohet modeli, kriteret e kushtet që duhet të plotësoje spitali që të jetë instrument transparent”. Po ashtu, vijoi Manastirliu, do të jetë mundësia për të monitoruar nëpërmjet një grupi të posaçëm nga spitalet të aktivitetit spitalor të mjekut jashtë regjimit të punës, pasi regjimi i punës, koha e punës në kodin e punës përcaktohet në kontratën e mjekut dhe aktiviteti spitalor i tij është i monitoruar. “Por mundësia që ne i japim mjekëve për të kryer konsulta jashtë regjimit të punës ju jep mundësi atyre edhe për të pasur një mbështetje financiare shtesë që nuk i tejkalon 30 % të pagës bruto”, tha Manastirliu. Ministrja Manastirliu theksoi se “në këto instrumente jemi bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe duke pasur këto praktika dhe eksperiencat më të mira këto janë hapat do të thellojnë më shumë reformën në sistemin spitalor, por mbi të gjitha do të garantojnë një mbështetje më të madhe financiare për mjekët, por edhe një akses të rritur të pacientëve jashtë sistemit të referimit, për të zgjedhur mjekun që duan, shërbimin që duan dhe në kohën që e duan”. E pyetur se sa spitale janë autonome, Manastirliu tha se “autonomia menaxheriale spitalore aplikohet në Spitalin Memorial të Fierit, ndërkohë që janë tre spitale që janë duke u përgatitur për të përfituar kartën e autonomisë menaxheriale që është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali i Durrësit dhe Shkodrës që po përgatisin bazën e nevojshme, e strategjinë 3 vjeçare dhe elementët që kanë të bëjnë me koston spitalore në mënyrë që të bëhemi gati që edhe praktika dyfishe e dhënë në këtë instrument të ri, që i hap rrugën shumë elementëve që kanë të bëjnë me autonominë spitalore të aplikohet edhe në këto spitale”. “Më pas do të jenë edhe spitale të tjera rajonale që janë pjesë e përfitimit e kartës së autonomisë menaxheriale dhe bëhen pjesë e këtij vendimi që sapo miratuam”, tha Manastirliu. atsh
Mjekët konsulta për pacientët jashtë sistemit të referimit
RELATED ARTICLES