Qeveria po adreson mbështetje të veçantë për sektorin e bletarisë, i cili aktualisht numëron mbi 5 mijë bletarë në rang vendi, ndërsa prodhimi i mjaltit po shënon rritje të qëndrueshme.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, solli në vëmendje shembullin e bletarëve të suksesshëm, duke ndarë historinë e Haxhi Miftarit nga fshati Kllobçisht i Maqellarës.
Miftari zotëron rreth 800 koshere të organizuara në 6 parqe bletarie, duke prodhuar mjaltë cilësor MadeInAlbania.
Ai tregon se, zona Kllobçisht është nga më të mirat në qarkun e Dibrës për grumbullimin e bletëve dhe prodhimin e mjaltit cilësor. “Tregu për mjaltin cilësor është i padiskutueshëm”, tha Miftari.
Ministri vuri në dukje se, mbështetja e qeverisë synon zgjerimin e këtij sektori të rëndësishëm, duke kontribuar në cilësinë dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendase.
“Falë Skemës Kombëtare të Mbështetjes Direkte, e cila përfshin një masë të dedikuar për bletarinë, fermerë si Miftari kanë arritur të ulin kostot e prodhimit, të rrisin sasinë e mjaltit dhe të forcojnë më tej aktivitetin e tyre”, tha Salla.





