Mjafton vetëm bileta për udhëtimet ajrore drejt Italisë dhe BE

0
2

Pasagjerët e linjave ajrore do të jenë tani në gjendje të hipin në avionët drejt Italisë dhe pjesës tjetër të BE-së vetëm me biletën e tyre (boarding pass) të hipjes në bord duke eliminuar nevojën për dokumente identifikimi si pasaportat, sipas rregulloreve të reja që janë tashmë në fuqi, tha sot agjencia e aviacionit civil ENAC.

“Në aeroportet italiane, nuk është më e detyrueshme të tregohet një dokument identiteti së bashku me boarding pass për të gjitha fluturimet vendase dhe evropiane”, tha ENAC, duke konfirmuar se ndryshimi është tashmë në fuqi.

”Por, dokumentet e identifikimit”, sqaroi presidenti i ENAC, Pierluigi De Palma, ”megjithatë duhet të mbahen gjithmonë me vete dhe të jenë të disponueshme për çdo kontroll”.

Dhe të gjitha kontrollet e sigurisë mbeten në fuqi.

“Ka shumë kohë të humbur në nivel burokratik. Duke hequr kërkesën, hipja në bord është gjithashtu më e shpejtë”, shpjegoi De Palma për ”Corriere della Sera”.

Grupi i konsumatorëve ”Codacons” shprehu “habi që nivelet e sigurisë janë ulur në këtë mënyrë”, ndërsa ”Assoutenti”, një tjetër grup konsumatorësh, tha se ishte gjithashtu “i shqetësuar për sigurinë”.