Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se vendi i tij ishte në ”luftë” me zjarret që shpërthyen në 64 rajone në të gjithë vendin të hënën dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra turistë në ishuj të ndryshëm pushimesh të evakuohen. Rreziku i zjarreve mbetet ende jashtëzakonisht i lartë. ”Kjo vlen për rajonin e Athinës, gadishullin e Peloponezit dhe shumë ishuj në detin Egje”, paralajmëroi të hënën Departamenti grek i Mbrojtjes Civile. Ai shtoi se situata me rrezikshmëri të lartë pritet të mbetet edhe në ditët në vijim. Zjarret më të mëdha shpërthyen në ishullin Rodos dhe në Korfuz dhe Eubea të hënën. Në Rodos, një flakë e madhe shpërtheu për të shtatën ditë radhazi. Atje, rreth 20 000 persona nga juglindja e ishullit u larguan të shtunën, në një nga operacionet më të mëdha të evakuimit të Greqisë. Rreth 9 500 persona në Rodos ishin ende të vendosur në salla dhe shkolla ose po mikpriteshin nga vendasit të hënën. ”Zjarri në Rodos ka dëmtuar rreth 10% të hoteleve të ishullit”, sipas kryeministrit. Në ishullin e Korfuzit, në veriperëndim të vendit, zjarri në pyll është vënë nën kontroll të hënën. Gjatë natës, autoritetet lokale kishin marrë masa paraprake për evakuimin e rreth 1 000 turistëve dhe 1 500 banorëve. ”Anijet e rojes bregdetare garantuan sigurine e pushuesve dhe banorëve”, raportoi televizioni shtetëror. Aeroplanët dhe helikopterët zjarrfikës u vendosën në dritën e parë të hënën në të gjitha zonat e zjarrit, sipas Departamentit të Mbrojtjes Civile. Ekipet e zjarrfikësve nga Turqia dhe Egjipti u vendosën për të përforcuar ekipet greke të zjarrfikësve. ”Erërat e forta vazhdojnë të ndezin flakët”, sipas një zëdhënësi të brigadës së zjarrfikësve. Përpjekjet tani janë përqendruar në ndihmën për të kthyer turistët në shtëpi. Grupi gjerman i udhëtimit ”Tui” ka thënë se po dërgon avionë shtesë në Greqi për turistët e bllokuar. ”Gjashtë avionë të tjerë sollën pushues nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar të hënën në mëngjes”, tha ”Tui” të hënën. U njoftua gjithashtu një fluturim tjetër drejt Danimarkës. “Kolegët tanë janë ende duke punuar rreth orës për të mbështetur mysafirët e prekur”, tha Thomas Ellerbeck, i cili është përgjegjës për komunikimet në grup në ”Tui”. Grupi i udhëtimit kishte thënë më parë se do të ndalonte të gjitha fluturimet për në pikën turistike deri dhe duke përfshirë të martën. Të dielën, ”Tui” thuhet se kishte rreth 39 000 klientë në Rodos, 7 800 prej të cilëve u prekën nga zjarret. Sipas Shoqatës Gjermane të Udhëtimit (DRV), operatorët turistikë po përdorin aeroplanë çarter dhe vende të lira në fluturime të rregullta. ”Situata në të cilën ndodhet Greqia është shkaktuar nga ndryshimet klimatike”, theksoi Mitsotakis gjatë një debati parlamentar të transmetuar nga radio shtetërore të hënën. Ai falenderoi të gjithë njerëzit që ndihmuan në përpjekjet për shuarjen e zjarrit në të gjithë vendin ditët e fundit. Ai tha se fakti që nuk kishte viktima në zjarret në disa zona ishte për shkak të përpjekjeve të zjarrfikësve, shërbimit të mbrojtjes civile, rojes bregdetare dhe vullnetarëve. Ai paralajmëroi se ditët e ardhshme do të vazhdojnë të jenë të rrezikshme. Zjarret e para filluan pranë Athinës të hënën javën e kaluar, mes një vale të nxehtit dhe erërave të forta. Greqia po pret me padurim të enjten, pasi meteorologët kanë thënë se temperaturat do të bien. Temperaturat të enjten pritet të jenë rreth 35 gradë Celsius, që është normale për periudhën e vitit. Të dielën në jug të gadishullit të Peloponezit u mat 46,4 gradë Celsius. ”Kjo ishte temperatura e katërt më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Greqi”, njoftoi zyra meteorologjike. ”Por, para se të mbërrijnë temperaturat më të ftohta, do të ketë një ditë të fundit të nxehtë me deri në 46 gradë Celsius të mërkurën”, thanë ekspertët e motit. Ftohja do të jetë rezultat i erërave të forta veriore dhe Departamenti i Mbrojtjes Civile paralajmëroi se zjarret në pyje mund të dalin përsëri jashtë kontrollit për shkak të këtyre erërave të forta. atsh
Mitsotakis: Greqia në ”luftë”’ me zjarret
RELATED ARTICLES