Ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë kryer gjatë këtij viti mbi 78 mijë misione me profesionalizëm e përkushtim për të shpëtuar jetë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar në rrjetet sociale një video me momentet nga puna dhe misioni i përditshëm i mjekëve dhe stafit të Urgjencës Kombëtare. Mjeku i Urgjencës Kombëtare, përgjegjës i Njësisë së Koordinimit, Klejdi Cankja shprehet se “urgjenca në përditshmërinë e saj është një punë goxha dinamike. Nuk i ngjan rasti rastit. Kur marrim një thirrje asnjëherë nuk e dimë se çfarë do të na presë”. Përfytyrimi më i mirë që ta ndihmosh një person, që t’i shpëtosh jetën, në idenë time, thotë ai, ka qenë gjithnjë puna në urgjencë. “Aty është koha zero në të cilën ne ndërhyjmë. Jo gjithmonë jemi të qetë. Shpesh herë i ndjejmë edhe emocionet e familjarëve dhe të ndonjë pacienti që është duke vuajtur por mundohem që këto emocione t’i lë mënjanë dhe t’i përdor si një spunto apo si një nxitje që t’i jap ndihmën sa më të mirë”, rrëfen mjeku Cankja. Ai e konsideron veten me fat që ka përjetuar hap pas hapi modernizimin e pajisjeve brenda ambulancës. “Tani që ne vijmë nuk është thjeshtë që vjen ambulanca merr pacientët dhe i transporton. Ambulanca vepron si një mini spital që ka mundësinë të japi ndihmë të specializuar që në vendngjarje dhe gjatë transportit dhe kemi mundësinë që edhe pacientin e dorëzojmë më të kompletuar dhe t’i referojmë kolegëve lidhur me ekzaminimet që kemi bërë dhe me pjesët e trajtimit që i kemi dhënë pacientit”, shprehet mjeku i Urgjencës. Shtimi i flotës së Urgjencës Kombëtare me autoambulanca të reja të pajisura me të gjithë pajisjet e ndihmës së shpejtë, e kanë shndërruar shërbimin e urgjencës në të gjithë territorin, në një shërbim dinjitoz, me standarde bashkëkohore.https://ata.gov.al/2022/08/27/misioni-i-mjekeve-te-urgjences-kombetare-per-te-shpetuar-jete/