Miratohet zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Xhafzotaj, Shijak

0
2

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e së mërkurës shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 135 215 m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 53 022.3 m2, pjesë e zonës kadastrale 3852, në Xhafzotaj, Shijak.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” përcaktohen në genplanin e hartuar.

Ndërsa veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, janë të llojit: industri prodhuese; industri e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit;industri e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT); industri e pajisjeve elektrike dhe elektronike; industri e produkteve të energjisë; industri e rëndë; industri e lehtë dhe agropërpunuese; përpunim dhe magazinim mallrash; tregtare dhe eksport-import; shërbime; industri të tjera, në përputhje me legjislacionin shqiptar.

Periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet.

Zhvillues i “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” shpallet shoqëria “VERTIGO”, sh.p.k.

Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.