Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore miratoi sot projektin e ndërhyrjes emergjente në Urën e Matit. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri të ditur se projekti teknik i zbatimit për ndërhyrjen emergjente në objektin-monument kulture, Ura e Matit, është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër, në kuadër të Paktit për Universitetin. “Vetëm pak ditë më parë miratuam gjithashtu projektin e vendosjes së pajisjeve monitoruese, që do të na mundësojnë të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit”, informoi ministrja. Sipas Margaritit, miratimi i këtij projekti i hap udhë gjenerimit të fondeve, fillimit të detyrave të projektimit dhe nisjes së ndërhyrjeve integrale për zgjidhjen e problemit në terren, në të gjithë objektin. Ura e Matit është inauguruar më 26 maj, të vitit 1927 dhe është projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter. Ura është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernit për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj kohe, nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën. Ura e Matit është një ndër më të bukurat në Ballkan. atsh
Miratohet projekti për ndërhyrjen emergjente në Urën e Matit
RELATED ARTICLES