Qeveria miratoi ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në fshatin Povelçë, Dërmenas të bashkisë Fier nga shoqëria “EZ-5 ENERGY”.

Centrali do të ketë kapacitet të instaluar 30MW dhe afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi është brenda 36 muajve.

Afati i operimit të centrali është 49 vjet.

Shoqëria “EZ-5 ENERGY”, sh.p.k., ka detyrimin që të paraqesë periodikisht, çdo tre muaj, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik si dhe të respektojë kushtet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare.

Po ashtu, qeveria miratoi ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në fshatin Rehovë të bashkisë Kolonjë, qarku Korçë, nga shoqëria “GET SOLAR SOLUTION”, sh.p.k.

Kapaciteti i instaluar i centralit do të jetë 24 MW dhe koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Kompania ndërtuese ka detyrimin t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.