Të dhënat e bazës shtetërore ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore. Ndërkohë që të dhënat parësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat e mbledhura nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Të dhënat dytësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, Regjistri Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë, Regjistri Tregtar dhe nga Sistemi i Tatimit Elektronik.

Sistemi SMIAL ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile; Sistemin e Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara; Regjistrin Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë; Regjistrin Tregtar dhe Sistemin e Tatimit Elektronik.

Institucioni administrues siguron që përpunimi i të dhënave personale në SMIAL të kryhet në përputhje me parimet dhe kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar ligjshmërinë, drejtësinë, transparencën, minimizimin e të dhënave, saktësinë dhe ruajtjen e tyre, vetëm për periudhën e nevojshme për të përmbushur qëllimin e grumbullimit.

Pas përfundimit të afatit të përcaktuar të ruajtjes, të dhënat personale fshihen ose anonimizohen, sipas procedurave të miratuara nga institucioni administrues, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Organizimi e funksionimi i brendshëm i sistemit dhe i bazës së të dhënave të SMIAL-it përcaktohen e miratohen me rregullore të brendshme të institucionit administrues, në përputhje me parashikimet e ligjit “Për bazën e të dhënave shtetërore”.

Palët zbatojnë masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rrezikut, për çdo veprim në regjistër lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave personale, me qëllim garantimin e gjurmueshmërisë, konfidencialitetit, integritetit, disponueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve e të shërbimeve të përpunimit.