Qeveria spanjolle miratoi një projektligj mbi informacionin e klasifikuar – i hartuar për të zbuluar sekretet e regjimit dhe diktaturës së Franco-s dhe për të revolucionarizuar aksesin në dokumente shtetërore konfidenciale.

Legjislacioni, i cili zëvendëson Ligjin e vjetër të Sekreteve Zyrtare të vitit 1968, që daton që nga diktatura e Franco-s, prezanton për herë të parë deklasifikimin automatik të informacionit pas një periudhe 45-vjeçare ose më shumë dhe të gjithë informacionit para vitit 1981 – duke përfshirë informacionin që lidhet me regjimin e Franco-s dhe periudhën e tranzicionit nga vdekja e tij (20 nëntor 1975) në demokraci në vitin 1982, me qeverinë e parë të Felipe González.

Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të justifikuara, nëse ekziston një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë kombëtare, një dokument mund të mbetet i klasifikuar, duke iu nënshtruar shqyrtimit vjetor.

“Ky legjislacion kapërcen “një boshllëk parakushtetues”, duke e sjellë Spanjën në përputhje me demokracitë e pjekura dhe duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të ditur”, tha sot ministri i Presidencës, Drejtësisë dhe Marrëdhënieve me Kortesin, Félix Bolanos pas takimit të Këshillit të Ministrave.

Francisco Franco (4 dhjetor 1892 – 20 nëntor 1975) ishte një gjeneral dhe diktator spanjoll që udhëhoqi forcat nacionaliste në përmbysjen e Republikës së Dytë Spanjolle – gjatë Luftës Civile Spanjolle dhe më pas sundoi Spanjën nga viti 1939 deri në vitin 1975, duke marrë titullin “Caudillo”.

Kjo periudhë në historinë spanjolle, nga fitorja nacionaliste deri në vdekjen e Franco-s, njihet zakonisht si Spanja Frankiste ose si diktatura Frankiste.