Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave që lidhen me: trajtimin dhe shfrytëzimin e materialit drusor e të prodhimeve jodrusore pyjore, me synim përfitimin nga to dhe garantimin e mbarështimit të qëndrueshëm e të vijimësisë së prodhimit të Fondit Pyjor Kombëtar, shitjen, eksportin (rastet e lejuara), importin, administrimin dhe transportin e materialit drusor e të prodhimeve jodrusore pyjore, bimëve mjekësore eterovajore e tanifere natyrore (BMET); kategorizimin e rrugëve pyjore, përdorimin dhe standardet teknike, rregullat e ndërtimit, riparimit e të mirëmbajtjes së tyre.

Po ashtu, vendimi kryen përcaktimin e kritereve për shënimin me bojë të paheqshme dhe vendosjen e etiketave në prodhimet drusore.

Sa i përket shfrytëzimit të materialit drusor, sipas rregullave të miratuara “shfrytëzimi planifikohet çdo vit në përputhje me urgjencën e prerjeve të lejuara, sipas ngastrave/nënngastrave pyjore dhe të dhënave të planeve të mbarështimit apo të inventarizimit, të hartuara nga strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki”.

Shfrytëzimi në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë bëhet vetëm në rastet kur kryhen punimet e përkujdesjes dhe të prerjeve shëndetësore.

Shfrytëzimi i fondit pyjor në zonat e mbrojtura bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura dhe, në rastet kur ky legjislacion lejon shfrytëzimin, zbatohen rregullat e përcaktuara në këtë vendim.

Ndër të tjera, sipas vendimit theksohet se “sigurimi i druve të zjarrit për ngrohje nga banorët e fshatrave në zonat malore dhe në brendësi të pyjeve, për nevojat e tyre, kryhet vetëm nëpërmjet mbledhjes/vlerësimit të materialit drusor nga drurët e rrëzuar apo të shkulur e të thyer nga furtunat e zjarret dhe punimet silvikulturore të pyllit, me rrallime e prerje rigjeneruese e shëndetësuese, sipas projekteve të hartuara nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki dhe vlerësimit paraprak në vëllim të materialit drusor”.

Më tej në rregullore përcaktohet se “prerja e drurëve industrialë lejohet vetëm në rastet kur ata janë të kalbur ose në tharje e sipër, janë të prekur nga sëmundje dhe dëmtues, të cilët paraqesin rrezik tharjeje për vetë drurin ose përbëjnë burim infeksioni për drurët e tjerë, si dhe në rastet kur drurët janë të dëmtuar rëndë e janë këputur shumë degë, kanë maja të thyera dhe kurora është çarë në dy ose në më shumë pjesë”.

“Shitja e materialit drusor për dru zjarri, për nevoja të popullatës apo të enteve publike, bëhet nga bashkitë, si dhe nga individë apo nga subjekte që zotërojnë të drejtën e shfrytëzimit”, thuhet në vendim.

Sa i përket transportit, eksporti (në rastet e lejuara) dhe importi i materialit drusor e i prodhimeve jodrusore pyjore e i bimëve mjekësore në rregullore përcaktohet se “ndalohet eksporti i lëndës së rrumbullakët të papërpunuar dhe druve të zjarrit nga pyjet në pronësi publike”.

“Lejohet eksporti i lëndës drusore të papërpunuar nga shfrytëzimi i pyjeve private si dhe lejohet eksporti dhe importi i produkteve drusore, që rezultojnë të përpunuara në nënprodukte të tjera, si element druri, paleta dhe brikete, në rast se nuk klasifikohen si mbetje”.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe bashkitë.