Në vendim thuhet se shtetasit me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit në rrugë elektronike (on-line), në portalin qeveritar “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, të huadhënies, të përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm, që provon vendbanimin ose vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar.

Sipas këtij vendimi, shtetasi, i cili kërkon të banojë në një familje ekzistuese, paraqet kërkesën në rrugë elektronike (on-line), nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Kjo kërkesë duhet të konfirmohet nga kryefamiljari i familjes pritëse në portalin qeveritar “e-Albania”, duke respektuar standardet e banimit, të miratuara nga legjislacioni në fuqi.

Dokumentet e ngarkuara nga shtetasi në shërbimin elektronik në portalin qeveritar “e-Albania” ruhen në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

Deklarimi, ndryshimi ose saktësimi i vendbanimit, me kërkesë të kryefamiljarit, pasqyrohet njëkohësisht për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se anëtari madhor i familjes, i cili kërkon të ndryshojë vendbanimin, më parë duhet të kryejë procedurën e veçimit nga familja.