Sipas projektligjit të miratuar, tatimpaguesit ndahen në dy kategori, personat fizikë, ku është individi, personi fizik tregtar apo i vetëpunësuar dhe ata juridikë, apo entet. Personat fizikë do të taksohen me tarifa progresive. Brenda grupit, individët për marrëdhëniet e punësimit taksohen 13 % për të ardhurat deri në 200 mijë lekë, duke përjashtuar një prag prej 30 mijë lekësh dhe 23 % për të ardhurat mbi 200 mijë lekë. Ndërkohë të vetëpunësuarit dhe bizneset është parashikuar të taksohen mbi fitimin neto. Në bazë të p/ligjit të ri, nëse të punësuarit paguajnë mbi pagën bruto, tregtarët, ku hyjnë shitësit me shumicë ata me pakicë, transporti individual, prodhuesit e vegjël, artizanët etj, taksohen mbi fitimin neto, ku kanë zbritur çdo shpenzim, paga, drita, ujë, amortizim etj. Pra mbi fitimin neto taksohen 15 % deri në 14 milionë lekë. Vetëm për çdo lek shtesë mbi 14 milionë lekë në vit, do të paguajnë 23 % të kësaj shtesë. Ndërkohë, personat juridikë do të vazhdojnë të taksohen sipas skemës 15 % për tatimin mbi fitimin neto dhe 8 % për dividentin. Nga viti 2015 e deri tani çdo tatimpagues me të ardhura 5 milionë lekë, ka pasur normë tatimore 0 lekë. Këtu hyjnë të gjitha llojet e veprimtarive si profesionet e lira, furnizimet e shërbimeve, shitja e mallrave, transporti, etj. Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, janë rreth 13 mijë furnizues shërbimesh. Brenda kësaj shifre janë 6500-7000 janë profesione të lira, që do të taksohem me dy norma tatimi për të ofruar barazinë e munguar, sikundër paguan një i punësuar me pagë. Grupet e tjera, prodhuesit, furra buke, transporti individual, tregtia e vogël, bar-bufe të vogla, është parashikuar të futen në sistem më 1 janar 2030. Deri në fund të vitit 2029 do të jenë pa taksa. Në grupin e personave fizikë në shërbime nga mbi 50 mijë tatimpagues vetëm 161, ose 0.3 % e totalit do kenë fitim neto mbi 14 milionë lekë. Në Shqipëri operojnë rreth 90 mijë biznese të vogla dhe rreth 25 mijë biznese të mëdha. Pra janë 115 mijë biznese të regjistruara, ndërsa tatimpagues është çdo person që realizon të ardhura në këtë vend. Rreth 700 mijë janë të punësuar, që e çon në mbi 800 mijë numrin e tatimpaguesve në vend. Ndryshimet në ligj nisin zbatimin duke nisur nga 1 janari 2024. atsh