Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka përjashtuar mundësinë se mund të ketë ndryshime brenda kabinetit të tij, duke thënë se ministrat dhe zëvendësministrat do të vlerësohen. Ai ka kritikuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk po marrin pjesë në seancën e Kuvendit, e të cilët i ka paralajmëruar se mund të mos jenë në listat e ardhshme zgjedhore. Kurti në këshillin e përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ministrat duhet të shërbejnë, e jo të sundojnë. “Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer, jo për të sunduar. Ministrat e zv.ministrat në Qeverinë e Kosovës, nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore, në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize, e shoqëruar me vendosmëri të cilën e kemi përherë….. Ministrat, zv.ministrat dhe i gjithë stafi politik, e dinë që do të mund të ketë ndryshime e do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do të merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës… Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e të stafit politik gjatë kësaj kohe sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë se askush e asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm”, tha Kurti. Kurti kritikoi edhe mungesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër seanca të Kuvendit, duke paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mund të përjashtohen nga listat zgjedhore. “Askush nuk e ka votuar deputetin tonë që të mungojë në seanca. Keni bërë punë të mirë, të gjithë deputetët kanë punuar mirë, dhe unë ju falënderoj për jetë e u jam mirënjohës për këtë gjë, por e keni mundësinë të shkëlqeni. Mirë nuk është shkelqyshëm. Mes jush mund të ketë ministra e zv.ministra të ardhshëm e njerëz që udhëheqin projekte e procese sot, në të ardhmen, e ndoshta edhe një ditë kur nuk jam kryeministër, por nëse nuk përkushtoheni tash e këtu për programin e Levizjes, nëse nuk tregoni modesit në jetën e përditshme, nëse nuk e ndihmoni Qeverinë, gjasat janë që edhe në mesin e deputetëve që kemi sot, do të ketë nga ata që nuk do të jenë në lista herën e ardhshme”, tha Kurti. Albin Kurti u ndal edhe te kriza ekonomike në vend, ku tha se Kosova është ndër vendet me shifrat më të ulëta të inflacionit, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane. Ai tha çmimet në Kosovë po vazhdojnë të rriten, por që kursimi është mënyra më e mirë për tejkalim të krizës. “Qeveria do të ketë këto parime për krizën, do të angazhohet për të zbutur dhimbjen ekonomike që do të ndjejë pjesën më të ndjeshme të shoqërisë. Do të ketë vazhdimisht qasje zhvillimore për të ofruar investime të huaja direkte. Në aspektin gjeopolitik e gjeoekonomik, do të jemi gjithnjë me kaheje atlantiste e europianiste. Korrupsioni te ne nuk ka vend dhe ata aktorët që tentojnë ta shfrytëzojnë krizën për të shantazhuar shtetin, do të hasin në vështirësi që nuk ua pret mendja. Do të afrohemi ekonomikisht me Shqipërinë sepse jemi komplimentar dhe ballafaqohemi me vështirësi të ngjashme por edhe do të nxisim marrëdhënie ekonomike me vendet që e njohin Kosovën. Politikat tona social dhe ekonomike nuk maten nga tekat e askujt. Pakoja e ringjalljes ka arritur në përgjithësi në 7 për qind të brutoproduktit vendor. Jemi Qeveria që ka ndërmarrë më së shumti politika sociale, më shumë se secila qeveri tjetër”, tha ai. Derisa foli edhe për krizën në energjeti, bëri thirrje për kursim të energjisë, pasi një orë megavat sot është 800 euro, e në pikun ku kërkohet energjia, pritet të shkoj në 1500 euro, gjë që nëse do të blejmë, do të humbim miliona euro në ditë. “Me inflacionin jemi ndër vendet me shifrat më të ulëta, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane, sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas ‘Financial Times’, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështetje është në disa forma që nga përkrahja për konsumatorin e deri te mbështetja e prodhuesve, mirëpo çmimet po rriten, është mirë të kursejmë, këtë po e thonë shumë qeveri në Evropë. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm, ata që thonë mos kurseni, duan t’iu vjedhin”, tha Kurti.https://ata.gov.al/2022/08/28/kurti-ministrat-nuk-jane-te-paprekshem-ata-do-te-vleresohen/