Ai lindi më 16 shtator 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Trinia e regjisorëve Mihallaq Luarasi-Kujtim Spahivogli-Pirro Mani e lartësoi artin skenik shqiptar për gjatë dy dekadave që lanë gjurmë (1957-1973).

Luarasi do të paraqitej si regjisor për herë të parë me tragjedinë e Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në vitin 1957 në Teatrin Popullor, vepër e cila qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt mbi 300 herë. Ndërsa drama “Njollat e murrme” do të ishte shfaqja e fundit që regjisori Luarasi vuri në skenë përpara se të përjetonte një kalvar përndjekjesh nga regjimi komunist.

Mihallaq Luarasi është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, pasi zgjedhjet e tij të guximshme artistike i kushtuan 8 vjet liri. Pas “fshikullimeve” nxitur nga “Njollat e murrme”, regjia e Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH, u bë shkak për dënimin me 8 vjet burg. Luarasi iu kthye aktivitetit artistik pas viteve ’90.