Gjiganti i teknologjisë Microsoft deklaroi se hakerat rusë kishin në shënjestër fushatën e kandidates presidenciale të SHBA, Kamala Harris.
“Gjatë dy muajve të fundit, Microsoft ka vërejtur një ndryshim të dukshëm në taktikat e operacioneve të ndikimit rus që pasqyrojnë ndryshimin e mjedisit politik në Shtetet e Bashkuara,” shkroi Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Analizës së Kërcënimeve të Microsoft, Clint Watts në një postim në blogun e kompanisë.
Microsoft kishte zbuluar se Rusia kishte vënë në shënjestër fushatën e Harris, me aktorë që “qarkullonin video të fabrikuara të krijuara për të mbjellë mosmarrëveshje dhe përhapur dezinformata rreth saj”.
”Fokusi në fushatën e Harris pasqyroi një lëvizje strategjike nga aktorët rusë që synonte të shfrytëzonte çdo dobësi të perceptuar në kandidatët e rinj”, theksoi Watts.
Harris zëvendësoi presidentin amerikan Joe Biden në biletën e Partisë Demokratike pasi 81-vjeçari u tërhoq nga gara presidenciale në korrik pas një debati katastrofik kundër kandidatit republikan Donald Trump.
“Fillimisht, operacionet e ndikimit rus u përpoqën të evoluojnë përpjekjet e tyre pas daljes së Presidentit Biden nga gara presidenciale e SHBA-së në vitin 2024”, tha Watts