Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për periudhën janar-tetor 2024, arritën shumën 513 miliardë lekë, me realizim 99.98 % të planit për 10-mujorin e vitit 2024. Krahasuar me 10-mujorin 2023, janë mbledhur 46 miliardë lekë ose 10% më shumë.
Të ardhurat doganore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 190.4 miliardë lekë, 11.4 miliardë lekë ose 6.4 % më shumë se 10-mujori 2023, si dhe realizim 98.3 % të planit të të ardhurave doganore për 10-mujorin e vitit 2024.
Sipas raportit, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 10 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 517 miliardë lekë me një realizim në masën 91.7 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 7.1 për qind më i lartë ose rreth 33 miliardë lekë më shumë.
Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 10 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 70.1 për qind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 67.0 për qind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 28.08.2024.
Shpenzimet korente, për periudhën 10 mujore të vitit 2024, rezultuan në rreth 462.9 miliardë lekë. Ky zë ka rezultuar 8.1 për qind më i lartë ose rreth 34.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.