Nga tatimi mbi të ardhurat personale u arkëtuan 54,9 miliardë lekë në buxhet gjatë periudhës janar-tetor.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave në raportin mbi të treguesit fiskale, të ardhurat nga ky zë rezultuan 6,5 miliardë lekë ose 13,5% më shumë se 10-mujori 2023, si dhe 457 milionë lekë ose 0,8 % më shumë se plani i 10-mujorit 2024.

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale në projektbuxhetin e vitit 2025 parashikohen 70,040 milionë lekë, me rritje prej 5,6 miliardë lekë ose 8,7% më shumë se pritshmëritë për vitin 2024.

Baza e të ardhurave për vitin 2024 është ulur me rreth 500 milionë lekë (one off), e cila ka qënë e ardhura nga tatimi mbi fitimin e profesioneve të lira.

Mbi këtë bazë, në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë marrë në konsideratë rritja e të ardhurave që gjeneron rritja ekonomike, efektet e reformës së pagave në sektorin shtetëror që filloi më 1 korrik 2024, rritja e të cilave do të gjenerojë të ardhura shtesë nga tatimi mbi pagat.

Po ashtu ndikim pritet të japë edhe rritja e numrit të punëmarrësve dhe pagës mesatare në sektorin privat, i cili parashikohet të ndjekë ritmin e rritjes së pagave në sektorin shtetëror, si dhe rritja e të ardhurave nga mirëadministrimi nga zbatimi i masave në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave për vitin 2025, drafti i së cilës pritet të miratohet së shpejti.